Aktualitet

Celular në qeli, izolohet Laert Haxhiu!

Gjatë një operacioni në Burgun e Drenovës, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjetën një celular në qelinë e Laert Haxhiut. Bëhet e ditur se menjeherë u bë sekuestrimi i telefonit dhe pritet të verifikohet nëse ka patur kontakte përmes tij.

Po ashtu, nisën hetimet për të zbuluar se si hyri pajisja e ndaluar në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe nëse ka patur bashkëpunim me përgjegjës të sigurisë në burg.

Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për atë që njihet si Masakra e Lushnjës në vitin 2017 ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares, si dhe Jurgen Hoxha. Ndërkohë, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.

Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për të paktën 17 ngjarje kriminale, mes të cilave vrasje e atentate, shpërthime me tritol e grabitje me dhunë. Zbërthimi i bandës së tij erdhi nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani. Laert Haxhiu u ekstradua më 3 korrik të vitit të kaluar nga Greqia, një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj.