Aktualitet

Mesazh kërcënues në Lushnjë?! Shpërthim me tritol në pallatin e ish-të dashurës së Laert Haxhiut!

Policia e Lushnjës shoqëroi gjashtë shtetas për shpërthimin në banesën e Klea Gjatës. Ish e dashura e Laert Haxhiut ka dy muaj e zhvendosur në Tiranë. Shaqe Gjata, nëna e Klea Gjatës ka qenë vetëm në banesë kur ndodhi shpërthimi në murin e jashtëm të banesës, në katin e parë.

Burime nga policia e Fierit sqarojnë se ishte një sasi e vogël lënde plasëse që shkaktoi shpërthimin dhe se janë shkaktuar dëmtime jo të mëdha në murin e banesës. Gjashtë shtetas u shoqëruan në komisariatin e Lushnjës, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Po ashtu, po sekuestrohen kamerat e sigurisë në zonë për të mësuar më shumë nga pamjet.

Policia lokale thotë se ende nuk ka një pistë për motivin, por duke qenë se sasia e lëndës plasëse nuk ka qenë e konsiderueshme, dyshimet janë për përcjellje të një mesazhi kërcënues. Më herët, policia njoftoi zyrtarisht:

Rreth orës 01:00, në lagjen “Gafurr Muço”, në murin e jashtëm në katin e parë të banesës së shtetases Sh. Gj., 57 vjeçe, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, thuhet në njoftimin e policisë.