Ndërsa sot nis procesi i regjistrimit të popullsisë e banesave në vend dhe ka një thirrje të komuniteteve fetare drejtuar besimtarëve përkatës për t’iu përgjigjur pyetjeve për fenë, në një bisedë për emisionin e mëngjesit Wake Up në Top Albania Radio e Top Channel, Dom Gjergj Metën, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit sqaron thirrjen për t’u shpallur katolikë gjatë censit. Ja pse sipas tij u pa e nevojshme nga ana e Kishës Katolike që të nxjerrë këtë komunikatë, para censit:
Kush më shumë e kush më pak u përfshi në këtë e ndoshta kemi qenë të fundit që e kemi bërë këtë komunikim e që në vetvete ka disa qëllime. Qëllimi i parë është që besimtarët katolikë duhet të përfshihen në censin. Kisha e mbështet, si pjesë e kësaj shoqërie. Ne kemi ftuar që edhe besimtarët katolikë të bashkëpunojnë me anketuesit, me institucionet e me INSTAT-in në këtë rast për t’iu përgjigjur këtij pyetësori. Në anën tjetër kemi faktin që në këtë modul janë të përfshira edhe pyetjet rreth besimit. Patjetër, duke lënë të paprekur lirinë e individit për t’u përgjigjur ose jo sepse është një pyetje që i përket sferës së brendshme të njeriut, edhe pse besimi fetar ka një impakt në jetën sociale.
Në radhë të parë, duke vënë në dukje lirinë e secilit për t’u përgjigjur ose për të zgjedhur opsionin nuk dua të përgjigjem, ne kemi bërë një ftesë që katolikët që e ndjejnë veten se janë të tillë, të përgjigjen pozitivisht ndaj pyetjes. Te e fundit, për ne nuk është thelbësore kjo gjë, nëse përgjigjen apo jo pozitivisht apo nuk përgjigjen fare sepse pak a shumë ne e dimë se kush janë katolikët. Por, meqë statistikat gjithnjë janë një lloj mënyre për të fotografuar realitetin, ndonjëherë fotografitë na duhen për të kuptuar se ku jemi.
Por, sa përqind e shqiptarëve i përkasin besimit katolik? Kleriku katolik, Dom Gjergj Meta bën një batutë:
Një shprehje thotë se ka tre lloj gënjeshtrash: gënjeshtra të mëdha, gënjeshtra të vogla e statistika. Në përgjithësi, edhe statistikat bazohen mbi disa parime që gjithmonë kanë marzhe gabimi, në plus minuset e tyre. Unë i besoj institucionit që me kompetenca shkencore ka nxjerrë numrat e në të kaluarën e besoj se kështu do të punohet edhe këtë herë. Censi nuk është të sajosh numra, por të fotografosh realitetin.