Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis reagoi ashpër mbi çështjen e Fredi Belerit, duke kërkuar nga qeveria shqiptare “zgjidhje të shpejtë”. Në të kundërtën “do të ndikojë në vlerësimin grek të kursit europian” të vendit tonë. Deklaratat i bëri në Bruksel, ku u shpreh “i zhgënjyer” dhe “i indinjuar” nga qëndrimi i Tiranës zyrtare e vendimi i gjykatës për ta lënë në burg, kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë.
Gjatë një konference për shtyp, kryeministri grek bëri të ditur se njoftoi dhe homologët europianë për rastin e Belerit.
Pata rastin të informoj homologët për atë që po ndodh sot në Shqipëri me rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe të shpreh zhgënjimin, indinjatën time, për faktin se një kryetar i zgjedhur, arrestohet dy ditë para zgjedhjes së tij e ndodhet në burg, për ne, me dispozita të dyshimta procedurale.
Unë e konsideroj si një goditje për shtetin e së drejtës. Pres që kjo çështje të zgjidhet shumë shpejt. Do të jetë një element i vlerësimit grek i rrugës europiane të Shqipërisë, që fillon tani dhe është një rrugëtim i gjatë.
Respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është një kusht i panegociueshëm për çdo vend që pret të bëhet anëtar i familjes europiane. Dua të besoj se ky mesazh është kuptuar plotësisht edhe në Shqipëri.
Kjo është një çështje që Greqia nuk do ta lërë të kalojë në heshtje dhe do të ketë vazhdimisht reagime nga Athina.
Unë e respektoj absolutisht ndarjen e pushteteve, dua të jem shumë i qartë për këtë. Por, nga ana tjetër nuk është një çështje që do ta lë të shkojë kështu, pa pasur një reagim nga Greqia. Reagimi i parë u shpreh në Këshillin Europian me konferencën e kolegëve, se çfarë saktësisht po ndodh me këtë rast.
Me dyshimet për shit-blerje të votave, Beleri u arrestua më 12 maj. Hetimet ndaj tij kishin nisur pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, mbështetur me pamje filmike e përgjime. Një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” i Berishës dhe Metës, u shpall fitues në Himarë, me një 19 vota më shumë se socialisti Jorgo Goro. Më 26 qershor, u konstituua Këshilli Bashkiak i Himarës, por pa prezencën e Belerit, të cilit GJKKO i rrëzoi kërkesën për të qenë i pranishëm.