Health & Beauty

Çfarë duhet të dini para se t’i kombinoni foshnjës ilaçet me dushin…

Temperatura te foshnjat nuk është sëmundje, por shenjë se trupi po lufton kundër një infeksioni. Vlerat normale të temperaturës trupore mund të ndryshojnë në varësi të temperaturës së ambientit ose mjedisit ku qëndron fëmija. Po ashtu, temperatura në mëngjes është rreth 0,3 gradë më e ulët se ajo e matur në orët e mbrëmjes. Temperatura trupore është më e ulëta rreth orës katër të mëngjesit, ndërsa vlerat më të larta i arrin kur metabolizmi është më i përshpejtuar, zakonisht ndërmjet orës 16 dhe 20.

Temperatura normale te foshnjat dhe fëmijët zakonisht sillet nga 36,4 deri në 37°C, ndërsa temperaturë e lartë ose ethe konsiderohet zakonisht temperatura prej 38°C ose më shumë. Duhet theksuar se temperatura e matur në gojë, vesh mund të jetë për 0,5 deri në 1 gradë më e lartë se ajo e matur nën sqetull. Kështu, temperatura normale e matur është rreth 37,5°C. Ekspertët e Universitetit Johns Hopkins theksojnë se matja rektale është më e besueshmja, veçanërisht te foshnjat më të vogla se tre muaj.

Versionet moderne të termometrave kanë mundësi leximi digjital të temperaturës, si dhe sinjal zanor që tregon përfundimin e matjes. Temperatura matet në vesh vetëm pas moshës gjashtë muajsh, sepse te foshnjat e vogla kanali i veshit është i ngushtë dhe maja e termometrit nuk mund ta lexojë saktë temperaturën e daulles së veshit. Matja e temperaturës nën sqetull nuk është e besueshme te fëmijët më të vegjël se katër vjeç. Fëmijët e kësaj moshe shpesh janë të lëvizshëm, ndaj termometri mund të zhvendoset gjatë matjes dhe të tregojë vlera të pasakta. Për matjen rektale të temperaturës rekomandohet që maja e termometrit të lyhet me vazelinë. Fëmija duhet shtrirë në shpinë, t’i ngrihen kofshët dhe maja e termometrit të futet nga 1,3 deri në 2 centimetra në rektum. Termometri duhet mbajtur në vend derisa të dëgjohet sinjali zanor.

Sipas udhëzimeve të përgjithshme, te fëmijët rekomandohet ulja e temperaturës kur ajo arrin 38°C ose më shumë. Megjithatë, vlerat që tregon termometri nuk janë treguesi i vetëm se duhet ulur temperatura. Shumë më e rëndësishme është të vëzhgoni fëmijën dhe gjendjen e tij të përgjithshme, sepse disa fëmijë e përballojnë më vështirë temperaturën e lartë se të tjerët dhe mund të jenë nervozë apo të duken të lodhur edhe në vlera rreth 38°C ose pak më të ulëta.

Temperatura te foshnjat dhe fëmijët ulet me barna si paracetamoli dhe ibuprofeni, të cilët gjenden në formë shurupi. Ilaçi i përshtatshëm dhe doza ditore përcaktohen nga pediatri sipas peshës trupore dhe moshës së fëmijës, dhe këto doza duhet respektuar me përpikëri. Paracetamoli zakonisht jepet në doza prej 15 mg për kilogram të peshës trupore, çdo katër deri në gjashtë orë, ndërsa ibuprofeni në doza prej 10 mg për kilogram të peshës trupore, çdo gjashtë deri në tetë orë. Pasi t’i jepni fëmijës ilaç për uljen e temperaturës, rekomandohet të prisni rreth 20 minuta para se të përdorni metodën e uljes së temperaturës me dush. Gjatë këtyre 20 minutave, ilaçi do ta bllokojë përkohësisht qendrën e dridhjes, mekanizmin vetërregullues që trupi përdor për ta rritur temperaturën kur percepton se ajo po bie.

Nëse fëmija ftohet me dush ose në vaskë para se të kalojnë 20 minuta, kjo mund të shkaktojë dridhje të trupit dhe rritje të temperaturës madje për 1 deri në 2°C. Metoda më e mirë e ftohjes është ajo me ujë të vakët, pavarësisht nëse bëhet fjalë për dush apo për përdorimin e kompresave. Shkoni te pediatri nëse foshnja është më e vogël se 3 muaj dhe ka temperaturë 38°C ose më të lartë.