Health & Beauty

Si trupi e përdor nxehtësinë për të luftuar viruset…

Temperatura e lartë është pjesë e mekanizmit natyror të sistemit imunitar kundër infeksioneve. Shfaqet te njeriu, por edhe te shumë specie të tjera shtazore. Gjithnjë e më shumë kërkime tregojnë se ngritja e temperaturës mund t’i ndihmojë trupit të largojë viruset, edhe pse mekanizmi nuk është shpjeguar plotësisht. E dimë që ekziston një lidhje mes temperaturës dhe viruseve, por në nivel molekular ende nuk kuptojmë saktësisht si ndikon nxehtësia tek ato, shpjegon mikrobiologu Sam Wilson nga Universiteti i Kembrixhit.

A godet nxehtësia drejtpërdrejt virusin, apo vetëm forcon imunitetin? Ekzistojnë dy teori kryesore. Njëra thotë se nxehtësia e dëmton vetë virusin, e ngjashme me idenë e Hipokratit. Tjetra sugjeron se temperatura e lartë nuk është “luftëtari” kryesor, por nxitës i fuqizimit të imunitetit ose një efekt anësor i reagimit mbrojtës të trupit. Sepse shkenca ende nuk ka një përgjigje të prerë, Wilson dhe ekipi i tij realizuan një studim të publikuar në revistën Science. Rezultatet e tyre tregojnë se, të paktën te minjtë, vetë temperatura e lartë mjafton për të frenuar disa viruse.

Për të testuar teorinë, shkencëtarët përdorën virusin e gripit të shpendëve. Shpendët kanë temperaturë më të lartë trupore se njerëzit, prandaj viruset që i infektojnë ato janë të adaptuara ndaj nxehtësisë. Studiuesit identifikuan një pjesë të gjenomit të virusit – PB1 që e ndihmon atë të mbijetojë në temperatura të larta. Më pas këtë pjesë e futën brenda një virusi njerëzor të gripit dhe krijuan dy versione pothuajse identike: një të zakonshëm dhe një “rezistent ndaj nxehtësisë”.

Minjtë janë model ideal për eksperiment, sepse nuk zhvillojnë ethe në mënyrë natyrale kur infektohen me grip. Kjo u lejoi shkencëtarëve t’ua rritnin në mënyrë artificiale temperaturën e mjedisit, duke simuluar ethet. Në temperaturë normale, të dy grupet e minjve u sëmurën njësoj. Por në kushte më të ngrohta, minjtë e infektuar me virusin “e zakonshëm” u sëmurën shumë më pak. Ata me virusin rezistent ndaj nxehtësisë përsëri u prekën rëndë. Kjo do të thotë se vetë nxehtësia luajti rol vendimtar në frenimin e infeksionit.

Studimi konfirmon se temperatura është një pjesë e rëndësishme dhe efikase e mbrojtjes ndaj infeksioneve, thotë mikrobiologu Daniel Barreda nga Universiteti i Albertës, i cili nuk mori pjesë në studim. Megjithatë, ai shton se kjo nuk përjashton mundësinë që ethet njëkohësisht të forcojnë edhe funksionimin e sistemit imunitar. Pavarësisht rezultateve premtuese, ekspertët paralajmërojnë se sistemi imunitar i njeriut dhe ai i minjve ndryshojnë. Mjeku urgjentist Joe Alcock thekson se temperatura shumë e lartë mund të jetë e rrezikshme për njerëzit, sepse dëmtimi i qelizave ndodh shpejt në nivele ekstreme. Ilaçet kundër temperaturës kanë rol të rëndësishëm, veçanërisht kur ethet janë shumë të larta, te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, te pacientët kronikë dhe te personat që nuk përballojnë dot simptomat.