Agorafobia është një çrregullim ankthi që shfaqet si frikë intensive nga ndodhitë ose vendet ku mund të jetë e vështirë të largohesh ose të marrësh ndihmë në rast paniku.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, kjo gjendje mund të shkaktojë izolim të madh social, pasi individët e prekur shmangin daljet nga shtëpia, udhëtimet me transport publik, blerjet në qendra tregtare apo pjesëmarrjen në aktivitete publike.
Simptomat kryesore të agorafobisë përfshijnë:
–Frikë ose ankth kur gjendesh në vende publike apo të panjohura.
-Sulme paniku, që shpesh shoqërohen me djersitje, marramendje dhe ndjesi mbytjeje.
-Nevojë për të pasur gjithmonë një person të afërt gjatë daljeve.
–Shmangie e situatave sociale që perceptohen si të rrezikshme ose të parehatshme.
Psikologët theksojnë se agorafobia shpesh zhvillohet pas përjetimit të sulmeve të panikut, por mund të lidhet edhe me trauma të mëparshme ose periudha të gjata stresi.
Trajtimi i agorafobisë zakonisht përfshin terapi kognitive-biheviorale, që ndihmon në përballimin e frikës, si dhe përdorimin e medikamenteve kundër ankthit kur është e nevojshme.
Ndërhyrja e hershme është thelbësore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes dhe për të rikthyer normalitetin në jetën e përditshme.