George Clooney ka përjetuar një incident të papritur shëndetësor gjatë ditës së parë të Festivalit të 82-të të Filmit në Venecia, duke detyruar aktorin e njohur të anulojë disa angazhime.
Sipas “The Hollywood Reporter”, 64-vjeçari, i cili luan në filmin e ri të Noah Baumbach me titull “Jay Kelly”, u këshillua nga mjekët të kthehej në hotel për t’u pushuar, pasi nuk u ndje mirë pasditen e së mërkurës.
Për këtë arsye, ai anuloi një takim dhe një darkë private me aktorët dhe produksionin.
Kamerat e kapën Clooney-n duke dalë nga Hotel Excelsior rreth orës 16:00, për t’u rikuperuar para konferencës për shtyp dhe premierës botërore të filmit. Burime pranë festivalit theksojnë se gjendja e tij nuk është serioze.
Mungesa e tij në darkë bëri që të mos ishte i pranishëm krahas regjisorit Noah Baumbach, aktorëve Adam Sandler e Laura Dern, si dhe drejtuesve të lartë të Netflix. Vetëm disa orë më parë, Clooney kishte mbërritur në Lido së bashku me Dern, duke u shfaqur në formë të mirë dhe pa asnjë shenjë sëmundjeje.
Ky incident ndodhi vetëm pak ditë pasi ai kishte pritur miqtë dhe kolegët në vilën e tij në liqenin Como, ku së bashku me bashkëshorten Amal dhe binjakët e tyre, kishte organizuar një udhëtim me varkë dhe një drekë private.
Filmi “Jay Kelly”, që pritet të publikohet më 5 dhjetor në Netflix, rrëfen historinë e një aktori hollivudian që ka kaluar gjithë karrierën duke interpretuar versione të vetes.
Në kast, përveç Clooney-t, marrin pjesë edhe Laura Dern, Jim Broadbent, Isla Fisher, Billy Crudup dhe Lenny Henry.