Rina Lipa po ndërton gjithnjë e më shumë identitetin e saj në botën e modës. Motra më e vogël e Dua Lipës është bërë fytyra e një fushate të re të “ASOS”, ndërsa platforma e njohur e modës ka publikuar një seri fotografish ku ajo prezanton disa nga trendet më të fundit të sezonit.
Modelja dhe kërcimtarja 25-vjeçare, e cilësuar më parë nga revista Tatler si një nga “Gen Z It Girls”, është emëruar tashmë në rolin e “Style Dilemmas Creative Director”, një pozicion përmes të cilit do të ndihmojë ndjekësit të gjejnë zgjidhje për dilemat e përditshme të stilit.
Përmes videove dhe përmbajtjeve në TikTok dhe Instagram, Rina do të ndajë ide, kombinime veshjesh dhe këshilla mode, me synimin për të frymëzuar blerësit në zgjedhjet e tyre.
Drejtoresha jonë e Dilemave të Stilit sapo zbuloi vendin që ka të gjitha përgjigjet. Gardëroba juaj e verës tashmë është gati, e stiluar nga @rinalipa
-shkroi ASOS në prezantimin e bashkëpunimit.
Rina merr kështu stafetën nga influencerja irlandeze Olivia O’Neill, e njohur si “Out of Office Director”, e cila mbante më parë një rol të ngjashëm në kompaninë britanike.
Në videon që shënon nisjen e bashkëpunimit, Olivia telefonon Rinën për t’i uruar suksese dhe i tregon se gjithçka është gati për detyrën e saj të re.
Në fotosesionin promovues, Rina shfaqet me disa kombinime të ndryshme verore. Ajo pozon me një fustan mini të verdhë me grep dhe detaje me thekë argjendi, një fustan mini në ngjyrë argjendi të kombinuar me këpucë të zeza, si dhe me një bluzë kafe me lidhje pas qafe, pantallona të shkurtra xhins dhe atlete sportive.
Karriera e Rinës ka njohur rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Ajo ka modeluar për marka të njohura si “Red Valentino” dhe “Nasty Gal”, ndërsa së fundmi ka siguruar edhe rolin e saj të parë të rëndësishëm në një film horror, duke zgjeruar aktivitetin edhe në industrinë e aktrimit.