Deputetët e Parlamentit Europian miratuan një strategji për zgjerimin e Bashkimit Europian, ku thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.
Sipas dokumentit, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE e do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike, të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.
Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër e 98 abstenuan.
Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se duke marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e Unionit dhe pritjet nga vendet kandidate.
Zgjerimi duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në, tha eurodeputeti Austrevicius.
Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi, tashmë kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, por aplikimi i vendit nuk është shqyrtuar ende.
Kështu, është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat. Kur në raport përmendet Kosova, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për përparim në rrugën drejt anëtarësimit.
Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Europian është zhvilluar një debat, ku mori pjesë edhe eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e Bllokut.
Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve, tha Kos.
Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë.