Siçilia është kthyer në qendrën e vëmendjes së mediave ndërkombëtare, ndërsa të ftuarit e parë kanë nisur të mbërrijnë për festimet luksoze të organizuara nga Dua Lipa dhe Callum Turner.
Sipas raportimeve të mediave britanike, ndër personat e parë që u panë në Palermo ishin këngëtarja Charli XCX dhe bashkëshorti i saj, George Daniel. Çifti mbërriti të enjten në ishullin italian, në prag të ceremonive që do të zgjasin disa ditë.
Festimet pritet të zhvillohen kryesisht në hotelin prestigjioz Villa Igiea, një nga destinacionet më ekskluzive në Palermo, ku po qëndrojnë edhe vetë çifti. Kompleksi luksoz me pesë yje do të shërbejë si pikë kryesore për pritjet dhe aktivitetet e planifikuara gjatë fundjavës.
Mes të ftuarve të parë është parë edhe muzikanti Kevin Parker, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Sophie, ndërsa pritet që numri i të ftuarve të arrijë rreth 300 persona, përfshirë familjarë, miq dhe figura të njohura nga bota e muzikës dhe kinemasë.
Burime të ndryshme bëjnë të ditur se organizatorët kanë marrë masa të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e eventit. Për transportin e të ftuarve janë angazhuar avionë privatë dhe automjete luksoze, ndërsa siguria është forcuar ndjeshëm.
Raportohet gjithashtu se çifti ka rezervuar një pjesë të konsiderueshme të hotelit për mysafirët e tyre, ndërsa disa nga aktivitetet do të zhvillohen në lokacione historike në Palermo dhe Bagheria.
Ndërkohë, vazhdojnë të qarkullojnë spekulime se në një nga mbrëmjet private mund të performojë edhe Elton John, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Masat e sigurisë janë përshkruar si tepër të rrepta. Më shumë se 50 truproja janë angazhuar për eventin, ndërsa në disa zona është ndaluar edhe përdorimi i dronëve. Po ashtu, të gjithë personat e përfshirë në organizim thuhet se kanë firmosur marrëveshje konfidencialiteti për të ruajtur privatësinë e ceremonisë.
Me gjithë sekretin që e rrethon, festa e Dua Lipës dhe Callum Turner po konsiderohet një nga ngjarjet më të bujshme të showbiz-it këtë vit.