Charli XCX ishte një nga të ftuarat që rrëmbeu vëmendjen në dasmën e Matty Healy dhe modeles Gabbriette Bechtel, e cila u zhvillua në rezidencën ikonike Castillo del Lago në Los Angeles.
Artistja britanike u shfaq elegante me një fustan të zi me një të çarë të theksuar në këmbë, ndërsa në tapetin e të ftuarve u shoqërua nga bashkëshorti i saj, George Daniel, bateristi i grupit “The 1975”.
Prania e saj në ceremoni u komentua gjerësisht, pasi dhëndri, Matty Healy, është ish-partneri i Taylor Swift.
Dasma vjen në një kohë kur mediat ndërkombëtare vazhdojnë të spekulojnë për një ftohje të marrëdhënieve mes Charli XCX dhe Taylor Swift. Dy artistet dikur kanë qenë mike të afërta, ndërsa Charli ishte edhe pjesë e turneut “Reputation” të Swift në vitin 2018.
Në ceremoninë e zhvilluar nën shenjën ikonike të Hollywood-it morën pjesë edhe figura të njohura si Stassie Karanikola, Devon Lee Carlson dhe aktori Duke Nicholson.
Sipas raportimeve, Matty Healy dhe Gabbriette Bechtel shkëmbyen betimet në perëndim të diellit, më shumë se një vit pasi shpallën fejesën e tyre në vitin 2024.
Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, Taylor Swift kurorëzoi dashurinë e saj me Travis Kelce në një ceremoni madhështore në New York.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e Charli XCX në dasmën e Swift, një detaj që ka shtuar edhe më shumë spekulimet për raportet e ftohta mes dy këngëtareve.
Prej muajsh, fansat kanë analizuar tekstet e këngëve dhe deklaratat publike të të dyja artisteve, duke aluduar se ato mund të kenë përfshirë referenca indirekte ndaj njëra-tjetrës. Megjithatë, as Charli XCX dhe as Taylor Swift nuk kanë komentuar publikisht zërat për një prishje të miqësisë së tyre.