Travel

Çfarë po nxit rritjen e udhëtimeve për Krishtlindje?

Nga kthimi në shtëpinë e prindërve dhe darkat tradicionale, te pushimet në plazh dhe udhëtimet jashtë vendit, gjithnjë e më shumë europianë po zgjedhin ta kalojnë Krishtlindjen duke udhëtuar. Teksa festat afrohen dhe përgatitjet janë në kulm, një pjesë e mirë e njerëzve po thyen modelet klasike, duke kërkuar përvoja të reja larg shtëpisë.

Disa duan të krijojnë traditat e tyre, të tjerë shfrytëzojnë pushimet për aventurë dhe udhëtime, ndërsa shumë thjesht kërkojnë të shmangin stresin, kaosin dhe koston e organizimit të Krishtlindjes në shtëpi. Për disa, motivi kryesor është arratisja nga dimri i ashpër europian dhe faturat e larta të energjisë, në favor të destinacioneve me diell dhe akomodim më të lirë.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil në Mbretërinë e Bashkuar, dhjetori i vitit 2025 mund të shënojë “periudhën më të ngarkuar të udhëtimeve për Krishtlindje në histori”.

Ndër destinacionet më të preferuara mbeten qendrat e skive si St. Moritz, Zermatt dhe Lech, si edhe qytete me tregje tradicionale të Krishtlindjes si Vjena, Praga dhe Strasburgu.

Paralelisht, po rritet interesi për vende më të ngrohta si Madeira, Qipro, Italia e Jugut dhe Ishujt Kanarie.

Një rol të rëndësishëm në këtë ndryshim po luan brezi i ri. Sipas një sondazhi të Virgin Experience Days, 25% e të rinjve 18–24 vjeç preferojnë të udhëtojnë pikërisht ditën e Krishtlindjes, për të krijuar tradita personale.

Ky trend i ashtuquajtur “Krishtlindje jo-konvencionale” përfshin edhe festime me miq (“Friendmas”), ndryshim të datës së festës ose udhëtime jashtë vendit.

Për shumë familje, arsyeja është praktike: Krishtlindja shpesh është stresuese, e kushtueshme dhe e lodhshme. Udhëtimi ofron rehati, shmang organizimin e darkave dhe lejon pushim real.

Ekspertët theksojnë se familjet janë gjithnjë e më të shpërndara gjeografikisht dhe udhëtimi po shndërrohet në “territor neutral”, ku logjistika është më e thjeshtë dhe përvoja më e kontrolluar.

Një tjetër faktor është mirëqenia personale.

Krishtlindja mund të sjellë tensione familjare, ndaj shumë njerëz zgjedhin të udhëtojnë ose të festojnë me “familjen e zgjedhur”, miq të afërt që ofrojnë mbështetje emocionale.

Sipas psikologëve, kjo nuk është refuzim i lidhjeve, por riformulim i tyre, duke e kthyer festën në një përvojë më kuptimplote dhe ripërtëritëse.

Në këtë mënyrë, udhëtimi për Krishtlindje po shihet gjithnjë e më shumë si një zgjedhje për cilësinë e kohës së lirë dhe mirëqenien personale, duke treguar se traditat nuk po zhduken, por po transformohen. /shqip.al