Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përditësoi njoftimin për situatën në Lindjen e Mesme, duke theksuar se, për shkak të përshkallëzimit ushtarak në rajon, gjendja e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Autoritetet shqiptare këshillojnë shtetasit të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, qytetarët që ndodhen aktualisht atje, duhet të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Ministria iu bën thirrje qytetarëve të ndjekin vetëm burime zyrtare dhe mediatike të besueshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, të mbajnë dokumentet e udhëtimit e mjetet e komunikimit të gatshme, si dhe të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rast nevoje.
Po ashtu, Tirana zyrtare paralajmëron se në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë mbetet mundësi reale, ndërsa fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim.