Chris Brown përballet sërish me probleme ligjore, pasi është akuzuar për një sulm të dyshuar ndaj producentit muzikor Abe Diaw, në një klub nate në Londër. Sipas raportimeve të Daily Mail, këngëtari 36-vjeçar është akuzuar për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore pasi dyshohet se e ka goditur viktimën me një shishe.
Ngjarja e dyshuar ndodhi në shkurt të vitit 2023 në klubin e natës Tape në lagjen Mayfair, ndërsa arrestimi i Brown u krye në orët e para të mëngjesit të së enjtes, jashtë Hotel Lowry në Mançester.
Brown pritet të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Mançester të premten në orën 10:00 të mëngjesit.
Sipas burimeve të The Sun, producenti Abe Diaw pretendon se është sulmuar nga Chris Brown pa asnjë provokim, duke u goditur fillimisht në kokë me një shishe, e më pas me grushta dhe shqelma.
Gazeta The Post ka kontaktuar përfaqësuesin ligjor të Brown për një koment zyrtar, por ende nuk ka një përgjigje. Incidenti ka ngjallur vëmendje të madhe mediatike, duke rikthyer në fokus historikun e gjatë të artistit me ligjin.