Shumë njerëz që kanë kaluar marrëdhënie të vështira në të kaluarën, shpesh e gjejnë veten duke pasur frikë edhe kur takojnë partnerin e duhur.
Pasiguritë emocionale mund të krijojnë tension dhe dyshime, por sipas psikologut Mark Travers, ka disa tregues të qartë që zbulojnë nëse jemi vërtet në një marrëdhënie të shëndetshme.
Travers, në një analizë për “Psychology Today”, ndan tre shenja kryesore që tregojnë se jeni pranë personit të duhur:
Nuk keni nevojë të vini në dyshim ndjenjat e partnerit
Në një lidhje të vërtetë nuk ekziston pyetja e përhershme “A më do vërtet?”. Nuk ka analiza të mesazheve, as lojëra besnikërie. Thjesht ndiheni të pranuar dhe të sigurt, pa pasur nevojë të dëshmoni vazhdimisht vlerën tuaj.
Marrëdhënia “rrjedh” natyrshëm
Dashuria nuk është mungesë përpjekjeje, por me personin e duhur lidhja zhvillohet në mënyrë të qetë, edhe pas kalimit të fazës së pasionit. Konfliktet shihen si mundësi për të forcuar marrëdhënien dhe jo si kërcënim. Partnerët ndihen si një ekip që përballojnë jetën së bashku.
Rriteni bashkë, jo në kurriz të njëri-tjetrit
Një partner i mirë nuk kërkon të sakrifikoni vetveten, përkundrazi ju inkurajon të zhvilloheni. Marrëdhënia bëhet hapësirë për ngrohtësi, mbështetje dhe rritje të ndërsjellë. Në vend të pyetjes “A do të zgjasim?”, lind dëshira për të parë “Si mund të përparojmë bashkë?”.
Sipas Travers, një lidhje e shëndetshme karakterizohet nga siguria emocionale, thjeshtësia dhe aftësia për të ecur përpara krah për krah, duke u forcuar së bashku.