Humbja e peshës nuk varet vetëm nga ajo që konsumojmë gjatë ditës, por edhe nga rutina që ndjekim në mbrëmje. Pikërisht në orët kur trupi ka nevojë për pushim dhe rigjenerim, shumë persona pa e kuptuar adoptojnë zakone që dëmtojnë metabolizmin ose nxisin shtimin në peshë.
Ekspertët paralajmërojnë se disa sjellje të zakonshme në darkë mund të sabotojnë përpjekjet për të rënë në peshë, pavarësisht një diete të rregullt gjatë ditës. Këto janë disa prej tyre:
Ngrënia vonë në mbrëmje
Vaktet e fundit të ditës, sidomos ato të pasura me karbohidrate dhe yndyra, nëse konsumohen pak para gjumit, mund të ngadalësojnë tretjen dhe të prishin gjumin. Kjo ndikon negativisht në kontrollin e oreksit të nesërmen. Rekomandohet që darka të hahet të paktën 2-3 orë para gjumit.
Ushqimi para ekranit
Konsumimi i ushqimeve ndërkohë që shikoni TV ose përdorni telefonin është një formë e ngrënies së pavetëdijshme, që zakonisht përfshin “snacks” të përpunuar dhe me shumë kalori, si patate të skuqura apo akullore. Trupi nuk ka realisht nevojë për to në atë moment, çka çon në shtim peshe.
Anashkalimi i darkës
Edhe pse duket si një mënyrë e thjeshtë për të ulur kaloritë, kapërcimi i vaktit të darkës mund të sjellë efektin e kundërt. Metabolizmi ngadalësohet dhe uria e akumuluar mund të çojë në teprim më vonë. Një vakt i lehtë dhe i balancuar në mbrëmje është zgjedhja më e shëndetshme.
Specialistët theksojnë se zakonet e shëndetshme në mbrëmje janë po aq të rëndësishme sa ato gjatë ditës kur bëhet fjalë për rënien në peshë dhe ruajtjen e një stili jetese të balancuar.