Aktualitet

Çlirimi i vendit para 80 viteve, lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e Shqipërisë!

Ndërsa sot shënojmë 80-vjetorin e Çlirimit të vendit, kujtojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi luftë të armatosur, të organizuar kundër pushtuesve nazifashistë. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, zyrtarisht do të njoftonte edhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944 e që u sanksionua, si dhe u skalit si data e Çlirimit të Shqipërisë duke mbyllur njëherë e përgjithmonë luftën epike nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Mes rëndësive thelbësore të kësaj lufte ishin largimi i pushtuesve italianë e gjermanë, shkëputja e Shqipërisë nga blloku nazifashist, si dhe ripohimi i integritetit territorial të vendit, që prej kohësh shihej si një objekt copëtimi nga Fuqitë e Mëdha e vendet fqinje. Ndër veçantitë e çlirimit është se Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkan i çliruar me forcat e veta dhe pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe apo të forcave të koalicionit antifashist.

Po ashtu, kjo ishte lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e popullit shqiptar në dy drejtime: sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën e gjithashtu për gjithëpërfshirjen territoriale të Shqipërisë.

Nga jugu në veri, thuajse të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e vendit tonë u mobilizuan duke dhënë mbështetjen e tyre në luftën kundër fuqive pushtuese. Në këtë mënyrë, Shqipëria u bë pjesë e koalicionit fitues antifashist.

Më vonë në kohë, tani si një vend anëtar i NATO-s, jo vetëm ruan por edhe po vazhdon që të çojë përpara vlerat e lirisë e të demokracisë duke u radhitur përkrah vendeve demokratike e paqedashëse e duke dhënë edhe kontribut për ruajtjen e paqes në botë përmes misioneve të ndryshme.