Bota

Çmimet e gazit në Europë rriten me mbi 25%!

Çmimet e gazit në tregjet holandeze e britanike, sot u rritën me mbi 25%. Ngritja pasoi intensifikimin e sulmeve të SHBA-ve e Izraelit ndaj Iranit, si dhe goditjeve të Republikës Islamike kundrejt një numri vendesh në Lindjen e Mesme, që kanë baza amerikane në territoret e tyre.

Po ashtu, u pezulluan shumë dërgesa nafte dhe gazi përmes Ngushticës së Hormuzit. Pas paralajmërimit të qeverisë iraniane që anijet të mos kalojnë në të, shumica e pronarëve të cisternave e kompanive të mëdha të energjisë, ndaluan transportin e naftës, karburanteve dhe gazit të lëngshëm natyror përmes kësaj rruge ujore.

Duke cituar burime tregtare, kjo u citua nga agjencia e lajmeve Reuters. Vitet e fundit, pas pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, Europa ka rritur importet e gazit të lëngshëm natyror, për të zëvendësuar gradualisht gazin rus.

Rreth 20% e gazit të lëngshëm natyror në botë kalon në Ngushticën e Hormuzit. Ndërprerja e zgjatur ose mbyllja e plotë e kësaj rruge do të rriste konkurrencën globale për burime të tjera të gazit dhe do të rriste çmimet në nivel ndërkombëtar.

Kompania shtetërore e energjisë e Katarit, QatarEnergy, tha se ka pezulluar prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, pas sulmeve iraniane në disa nga objektet e saj.

Objektet e sulmuara janë Ras Laffan, bazë e përpunimit të gazit në tokë dhe Mesaieed, tjetër vend kyç për prodhimin e gazit natyror të Katarit.

Shteti i Gjirit është një nga prodhuesit kryesorë të gazit të lëngshëm natyror në botë, së bashku me SHBA-të, Australinë dhe Rusinë.

Në një tjetër zhvillim, një zëdhënës i qeverisë qipriote konfirmoi u kapën dy dronë që po shkonin drejt bazës britanike RAF Akrotiri në Qipro.

Njoftimi vjen pasi një dron iranian u rrëzua mbrëmë në bazën ushtarake britanike, duke shkaktuar dëme të vogla materiale.

Më herët, avionët luftarakë britanikë u ngritën në ajër, pasi sirenat e rrezikut u aktivizuan. Një mesazh i dërguar nga baza për punonjësit paralajmëroi për “kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë” dhe u bëri thirrje njerëzve që të ktheheshin në shtëpi e të qëndronin brenda deri në njoftimin e radhës.

Sipas informacioneve nga terreni, ministri i Brendshëm qipriot ka udhëzuar kryetarin e Bashkisë së Kourionit, pranë bazës britanike, që të vazhdojë me një “evakuim të detyrueshëm”.