Aktualitet

Inflacioni bazë arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2023!

Inflacioni bazë iu kthye rritjes në muajin shtator dhe arriti nivelin më të lartë që prej vitit 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, u rrit në 3.07%, nga 2.84% që kishte qenë për gushtin. Po ashtu, inflacioni bazë ka thelluar rritjen me bazë vjetore. Shtatorin e vitit të kaluar, ishte në nivelin 2.37%.

Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% më 2024-ën.

Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike e ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Paralelisht, edhe inflacioni bazë neto për shtatorin u rrit në 3.4%, nga 2.99% që kishte qenë për gushtin dhe ngelet gjithashtu në rritje krahasuar me nivelin prej 2.19% të një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën e drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin shtator u rrit në 3.28%, nga 2.89% që kishte qenë në muajin gusht.

Sipas INSTAT-it, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për shtatorin u rrit në 2.4%, nga 2.3% që kishte qenë për muajin gusht dhe gjithashtu në rritje nga niveli prej 1.9% që ishte një vit më parë.

Inflacioni vazhdon të jetë poshtë objektivit prej 3%, i ndikuar nga rënia e inflacionit nga jashtë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe goditjet e përsëritura të ofertës.

Por, nga ana tjetër, inflacioni bazë dhe presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta e gjithnjë e më mbizotëruese në formimin e inflacionit total. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo sugjeron se aktiviteti ekonomik është pranë potencialit.

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, Banka e Shqipërisë parashikonte që inflacioni do të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, Banka Qendrore theksoi edhe njëherë se perspektiva e zhvillimeve ekonomike rrethohet nga pasiguri të shtuara, që kryesisht burojnë nga tensionet gjeopolitike dhe tensionet e rritura ekonomike e tregtare në ambientin e huaj./Monitor