Food & Drink

Çmimet globale të mishit arrijnë rekord historik!

Çmimet globale të mishit kanë arritur nivelin më të lartë historik, sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), duke reflektuar rritjen e kostove në shumicën e kategorive kryesore të mishit. Sipas raportit të FAO-s, indeksi mesatar i çmimeve të mishit arriti në 129.4 pikë në prill 2026, një rritje prej 1.2 për qind krahasuar me marsin dhe 6.4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të mishit të viçit, derrit dhe shpendëve, ndërsa vetëm mishi i qengjit ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Mishi i viçit shënoi rritjen më të fortë të çmimeve për shkak të furnizimit të kufizuar me bagëti në Brazil dhe kërkesës së lartë ndërkombëtare, veçanërisht nga Kina. Edhe çmimet e mishit të derrit u rritën, të nxitura nga kërkesa sezonale në rritje në Bashkimin Evropian. Megjithatë, një pjesë e këtij presioni u zbut nga ulja e çmimeve në Brazil, ku rezervat e larta të stokut ndikuan në frenimin e mëtejshëm të kostove.

Ndërkohë, çmimet e mishit të shpendëve janë rritur si pasojë e kërkesës së lartë nga disa tregje afrikane, e cila kompensoi rënien e shitjeve në Lindjen e Mesme për shkak të luftës në rajon. Brazili, eksportuesi më i madh në botë i mishit të viçit dhe pulës, mbetet një faktor kyç në tregun global. Çdo ndryshim në prodhim apo eksportet e tij ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet ndërkombëtare të mishit. Në të kundërt, çmimet e mishit të qengjit nuk kanë shënuar ndryshime të ndjeshme gjatë muajit prill.

Bashkimi Europian ka hequr Brazilin nga lista e vendeve të autorizuara për eksportin e kafshëve dhe produkteve shtazore drejt tregut europian, për shkak të mosrespektimit të rregullave mbi përdorimin e antimikrobikëve në blegtori. Vendimi rikthen vëmendjen edhe te tregu shqiptar, pasi Brazili është vendi nga ku Shqipëria importon sasinë të mëdha të mishit. Sipas të dhënave të doganave shqiptare, importet e mishit nga Brazili kanë njohur rritje të fortë në 3 dekadat e tranzicionit. Në vitin 2024 Shqipëria importoi 48 mijë tonë mish, ku 26,8 përqind e të cilit ishin nga Brazili. Vendi i dytë për sasinë e importit të mishit është SHBA e ndjekur nga Greqia, Italia, Paraguai etj.