Bota

Crans-Montana, kush ishte Cyane Panine, “gruaja me kaskë”?

Cyane Panine ishte emri i “gruas së re me kaskë” e që bota e njohu nëpërmjet videove dramatike amatore të filmuara brenda klubit të natës “Le Constellation” në Crans-Montana. Pavarësisht pasigurisë fillestare për fatin e saj, autoritetet dhe avokatët e pronarëve konfirmuan vdekjen. Funerali u zhvillua më 10 janar në qytetin francez Sète.

Kush ishte Cyane Panine, “Gruaja me helmetë” e Crans-Montanas?

Me origjinë nga Sète e Francës, 24-vjeçarja punonte si bariste sezonale në resortin e njohur të skive zvicerane, ku konsiderohej “si një anëtare e familjes” nga pronarët e barit, pjesëtarët e familjes Moretti. Në videot që i paraprinë katastrofës, Cyane shfaqet duke buzëqeshur ndërsa mbante një kaskë motoçiklete, teksa qëndronte mbi supet e një kolegu mes turmës që brohoriste.

Në duar kishte shishe shampanje të zbukuruara me fishekzjarre të ndezura, një koreografi e krijuar për të mirëpritur Vitin e Ri. Ishte pikërisht ai moment spektakli që u shndërrua në tragjedi: shkëndijat nga fishekzjarrët prekën materialin e vendosur në tavan për të izoluar zhurmën, duke shkaktuar një zjarr që me shpejtësi vrau 40 persona.

Imazhi i saj duke mbajtur kaskën, aktualisht mbetet në dokumentet e hetimit, si provë e dukshme e neglizhencës fatale: simboli i një feste që shkoi tmerrësisht keq, për shkak të mosrespektimit të rregullave më themelore të sigurisë.