Bota

Pas ngjarjes së rëndë në barin që mori flakë, 29-vjeçarja tregon plagët e djegies në fytyrë dhe trup!

Pas ngjarjes së rëndë në Crans-Montana, Eleonora Palmieri, 29 vjeçe, ka nisur një etapë të re të rikuperimit shëndetësor, duke u transferuar nga spitali Niguarda i Milanos në repartin e djegieve të rënda në Cesena, më pranë familjes së saj. E reja, veterinere me origjinë nga Romagna, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga procesi i shërimit, ku duken shenjat e djegieve në fytyrë, këmbë dhe sidomos në një nga duart. Mesazhi i saj është fokusuar te forca personale dhe pasioni për profesionin, që sipas saj mbeten shtysa kryesore për të ecur përpara, hap pas hapi.

Pas rreth 20 ditësh trajtim në Milano, mjekët kanë vlerësuar se gjendja e saj klinike është e qëndrueshme. Aktualisht, Palmieri po ndiqet nga një ekip multidisiplinar në Cesena, me fizioterapi, rehabilitim dhe mjekime të vazhdueshme. Sipas drejtuesit të qendrës së djegieve të rënda të Ausl Romagna, Davide Melandri, për momentin nuk parashikohen ndërhyrje kirurgjikale dhe procesi i rikuperimit po ecën pozitivisht, edhe pse kërkon ende kohë dhe përkushtim. Mesazhi i saj mbetet i qartë: rruga drejt shërimit është e gjatë, por vendosmëria dhe pasioni mbeten më të fortë se çdo vështirësi.

Jessica Moretti, pronare e restorantit Le Constellation në Crans-Montana së bashku me bashkëshortin Jacques, nuk do të lihen në arrest shtëpiak. Gjykata vendosi që ajo duhet të dorëzojë dokumentet e saj të identitetit dhe të paraqitet në polici çdo ditë. Përveç ndalimit të largimit nga Zvicra, Moretti do të duhet të paguajë edhe një shumë garancie, e cila do të përcaktohet më vonë. Vendimi u mor pas kërkesës së prokurorit publik.