Aktualitet Travel

“Daily Mail” sugjeron Ksamilin, “versionin më të lirë të Maldiveve”!

“Maldivet janë një nga destinacionet më të ëndërruara të pushimeve në botë dhe një zgjedhje popullore për çiftet që kalojnë muajin e mjaltit”, shkruan Esther Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”.

Por, ishujt ka të ngjarë të kenë çmime mjaft të larta, veçanërisht pasi shumica e opsioneve të akomodimit janë resorte luksoze. Megjithatë, nëse kostoja e ishujve shkon përtej buxhetit tuaj, ekziston një destinacion europian ku mund të përjetoni një ndjesi të ngjashme, por me shumë më pak para.

Ekspertët e udhëtimeve thonë se turistët do të gjejnë “Maldivet e Europës” në vendin më të përballueshëm, Shqipëri. Ata rekomandojnë Ksamilin, një fshat bregdetar magjepsës në Shqipëri, si një alternativë buxhetore kundrejt Maldiveve. Gjithashtu, turistët thonë se ky vend turistik është një “version” më i lirë i Maldiveve.

Ekspertët vlerësojnë ujërat e kristalta dhe plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit duke e përshkruar atë si “vendin më marramendës”. “Lonely Planet” e ka cilësuar Ksamilin si vendin me disa nga plazhet më të mira në Shqipëri.

Në jug të Sarandës, kryeqytetit jozyrtar i Rivierës Shqiptare dhe në një distancë të shkurtër nga kufiri grek, Ksamili ka një vendndodhje të shkëlqyer, thonë ekspertët.

Ju mund të notoni ose të bëni një udhëtim me varkë në tre ishujt e vegjël në gjirin e tij ngjyrë bruz ku ka më pak turistë se në plazhet e zhurmshme të Sarandës.

Turistët mund të eksplorojnë një pikë referimi historike të jashtëzakonshme ndërsa ndodhen në Ksamil. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit, vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s është vetëm 17 kilometra nga fshati bregdetar.

Rrënojat e lashta janë më shumë se 2,500 vjeçare dhe përfshijnë një teatër të epokës helenistike e monumente të hershme të krishtera. Pushimet në Ksamil kushtojnë shumë më pak se në Maldive.

Për të shkuar në Ksamil nga Britania e Madhe, turistët britanikë duhet të fluturojnë për në Tiranë, Shqipëri ose për në Korfuz, Greqi. Fshati i Ksamilit është rreth katër orë larg me makinë nga Tirana, ndërsa turistët mund të marrin një traget nga Korfuzi për të arritur atje.

Udhëtimi me traget zgjat rreth gjysmë ore në Sarandë, një vendpushim bregdetar popullor, që është më pak se 30 minuta larg Ksamilit. Ksamili është destinacioni europian që përshkruhet si një alternativë më e lirë ndaj Maldiveve.