“Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por gjithashtu është një fluturim i gjatë dhe i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë shumë më e lirë që është më pranë dhe po aq e bukur”, shkruan Milo Boyd për të përditshmen britanike “Express”.
Me shtrirjet e gjera të plazheve të pacënuara me rërë të bardhë dhe detin blu idilik, natyrisht që Maldivet tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh bindëse pse disa mund të tërhiqeni nga një udhëtim i tillë.
Udhëtimi drejt këtij arkipelagu përfshin një fluturim të gjatë, me një çmim të lartë, me të paktën 2 mijë paund për një javë qëndrimi në ato vila të lakmuara mbi ujë gjatë pikut të sezonit nga dhjetori në prill.
Shqetësimet mjedisore janë gjithashtu të mëdha pasi vendi po përballet me kërcënime ekzistenciale nga nivelet e përshkallëzuara të detit, duke i nxitur vizitorët e ndërgjegjshëm për klimën, të rishqyrtojnë planet e tyre të udhëtimeve.
Megjithatë, ekziston një alternativë më pranë për këtë parajsë të largët. Shqipëria, e quajtur “Maldivet e Europës”, krenohet me plazhe po aq mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal përgjatë Rivierës së saj të mrekullueshme.
Edhe pse vazhdimisht po fiton popullaritet, kjo perlë mbetet një opsion ekonomik në krahasim me pikat e tjera të nxehta europiane.
“Qëndrimet luksoze ofrohen me çmime të përballueshme, me disa akomodime në plazh që kushtojnë 20 paund nata”, raporton “Mirror”.
Edhe ngrënia jashtë nuk do të dëmtojë buxhetin tuaj, ushqimet dhe pijet shpesh kushtojnë rreth 15 paund. Me ujërat e saj të kristalta dhe plazhet e bardha të pacënuara, Shqipëria është bërë një temë e nxehtë mes turistëve, falë videove virale në TikTok e që e krahasojnë me Maldivet, me Ksamilin që u shpall një nga vendet më të lira europiane.
Shqipëria krenohet me kostot më të ulëta të jetesës në Europë, me dhomat e hoteleve në qendër të qytetit në Tiranë që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin. Apartamentet buzë plazhit përgjatë bregut të Adriatikut ofrojnë pak më shtrenjtë.
Nëse zgjidhni të qëndroni në Dhërmi, mund të eksploroni çdo ditë një plazh të ri. Një drekë e këndshme buzë plazhit në zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person.