Danimarka po synon të rrisë aftësitë e saj të mbrojtjes në Grenlandë pas deklaratave të diskutueshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. “Për shumë vite, ne nuk kemi investuar mjaftueshëm në Arktik, tani po planifikojmë një prani më të fortë”-tha ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen për gazetën Jyllands Posten.
Pa përcaktuar shumën e saktë, ai theksoi se buxhet shtesë prej miliardë koronash dyshifrorë do të ndahet për blerjen e të paktën dy anijeve patrulluese të oqeanit të klasit “Tetis” dhe dy dronë me rreze të gjatë dhe rekrutimin e personelit ushtarak për Komandën e Përbashkët të Arktikut, e cila është përgjegjëse për sigurinë e Ishujve Faroe dhe Grenlandës.
Trump tha së fundmi në platformën e tij të medias sociale, “Truth Social”, se “për qëllime të Sigurisë Kombëtare dhe Lirisë në gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”.
Një ditë pas komenteve të Trumpit, kryeministri i Grenlandës, Mute Egede tha: “Grenlanda i përket popullit të Grenlandës”. “Ne nuk jemi për shitje dhe nuk do të jemi kurrë në shitje. Nuk duhet ta humbim luftën tonë të gjatë për liri”-shtoi ai.