Rajoni

DASH përsërit: Serbia të lirojë menjëherë policët e arrestuar me akuza të pabaza!

Uashingtoni zyrtar përsërit thirrjet drejtuar presidentit Aleksander Vuçiç dhe qeverisë serbe që “menjëherë dhe pa kushte” të lirohen tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor. Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller thotë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim me akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën e tensionuar”. Serbia thotë se tre policët kufitarë u arrestuan “thellë brenda territorit serb”, por Kosova e quan “rrëmbim”. Prishtina këmbëngul se ata ishin në territorin e Kosovës.

Sipas autoriteteve serbe, dyshohet se ata kanë kryer veprën penale “Prodhim, posedim, mbajtje e trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse”, çka dënohet deri në 12 vjet burg.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mbetet e paqartë se ku ishin pjesëtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit. Ky mision inspektoi vendin ku ndodhi ngjarja e bisedoi me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, si dhe me autoritetet në Serbi.

Ndaj tre policëve, një gjykatë në Kralevë të Serbisë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti i tha Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim të duhur mjekësor”. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Rasti me tre policët e Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përplasën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Si pasojë e konfrontimeve u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicën e Veriut ku arrestoi serbin Milun Milenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.