Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje opozitës në Shqipëri të mos dorëzojë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën e ushtruar gjatë protestave. Për këtë çështje, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer zhvilloi dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike.