Në vijim të konsultimeve për të përcaktuar datën e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen pranverën e ardhshme, sot Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pret përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Sipas kalendarit zyrtar të njoftuar nga presidenca, në orën 10:30 minuta, Kryetari i Shtetit do të jetë në pritje të përfaqësuesve të Partisë Demokratike: Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kryetarit të grupit parlamentar, Gazment Bardhi. Por ditë më parë, opozita konfirmoi refuzimin.
Për Top Channel, Noka u shpreh se PD-ja nuk do të marrë pjesë në atë që e quajti “farsë për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare 2025”.
Ne jemi opozita e vendit dhe nuk mund të marrim pjesë në farsa. Data është caktuar. E ka shpallur Taulanti para tre muajsh. Me këtë paracaktim, presidenti i bie të jetë jo mëkëmbësi i Ramës por i Taulantit.
Ndërkaq, Bardhi u shpreh se kryemnistri Edi Rama dhe Taulant Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve.
Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.
Ndërkohë, sipas axhendës së paracaktuar, në orën 11:30, në takim me Presidentin do të jenë përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe konsultimet mbyllen me takimin me kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, para se më tej, Begaj të shprehet për datën e zgjedhjeve të ardhshme. Kujtojmë se të enjten e kaluar, numri një i shtetit shqiptar u konsultua edhe me kryetarë e faktorë të tjerë politikë, përfshirë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilët forcat e tyre politike ende nuk i kanë regjistruar në gjykatë. Gjithashtu, presidenti Begaj priti socialdemokratët.