Aktualitet

Pashka Ortodokse, kryepiskopi Joan: Krishti u ngjall dhe jeton e nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne!

Besimtarët ortodoksë në vend kremtojnë Pashkën, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik ortodoks. Pas përkujtimit të së Premtes së Madhe, me procesionin e Epitafit të shenjtë, besimtarët morën pjesë në shërbesën e Ngjalljes e në Liturgjinë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, e cila u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi. “Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri:

Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne, ishte një pjesë e mesazhit të Kryepiskopit Joan.

Për të krishterët, Ringjallja e Krishtit është moment që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati. Vezët e kuqe janë simbol i ritualit të kremtimeve, ndërsa pas mesnate me përfundimin e meshës së shenjtë, me ndezjen e qirinjve, të gjithë u bashkuan në lutje.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit.

Kryeministri Edi Rama përcolli një urim për besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës. Në një postim në rrjetet sociale,  shkroi:

Mirëmëngjes dhe në këtë mëngjes të bekuar ju uroj Gëzuar Pashkën Ortodokse!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një urim për besimtarët ortodoksë.

Me këtë pamje nga mrekullia e dritës që ndezi mbrëmë zemrat e besimtarëve, ju uroj: Gëzuar Pashkën, të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë. U përhaptë kudo drita e pranisë së Zotit dhe ndriçoftë jetën tuaj me besim, shpresë dhe gëzim!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkës.

Gëzuar Pashkët! Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall! Të dashur miq, besimtarët ortodoksë shqiptarë festojnë sonte Pashkët, Ngjalljen e Krishtit Mbret, Hyjit të përjetshëm dhe burrit që me mësimet e tij formësoi moralin e qytetërimit perëndimor. Pashkët frymëzojnë te besimtarët e Zotit shpresë, besim, paqe dhe përjetësi.

Duke ju uruar nga zemra të gjithë besimtarëve ortodoksë Pashkët, Ngjalljen e Krishtit, le të lutemi bashkërisht që Pashkët e tjera t’i festojmë më mirë. Gëzuar!