Aktualitet

Dëbora zbardh Bulqizën, kujdes nga ngricat në rrugë!

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë reshje të lehta dëbore në zonat malore të Bulqizës, kryesisht në Ostren, Trebishtë, Martanesh, Zerqan e Fushë Bulqizë. Nuk raportohet për ndonjë problematikë deri në këto momente. Ndërkohë, policia e Bulqizës iu bën thirrje drejtueseve të mjeteve të kenë kujdes në lëvizje në këto zona, pasi gjatë pasdites nuk përjashtohet prania e ngricave në rrugë.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si edhe me alternime të herëpashershme kthjellimesh, me këto të fundit më të theksuara në veri e në qendër, kryesisht në pjesën e dytë të ditës.

Në zonat e veriut e të qendrës ka reshje shiu të izoluara, të dobëta e afatshkurtra ndërsa në jug, të herëpashershme me intensitet të ulët dhe hera-herës deri mesatar, në formën e shtrëngatave. Kjo për pjesën më të madhe të ditës. Në Alpe dhe në verilindje-lindje, në lartësinë mbi 800-900 metra bie dëborë me intensitet të ulët. Hera-herës, në Alpe ka edhe stuhi dëbore.

Era fryn me drejtim verilindje-juglindje dhe me shpejtësi mesatare 7 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare e në lugina pritet të fitojë shpejtësi deri 14 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë. Temperaturat variojnë nga 4 në 16 gradë Celsius.