Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut.
“MASHTRUES PUBLIK!!!
Unike në historinë e Europës është që Kryeministri shërben si zyrë avokatie për të pandehurën Belinda Balluku dhe që Shqipëria ka Zëvëndëskryeministër një person zyrtarisht të pandehur për abuzim me detyrën”, shkruan Bardhi.
Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka komentuar reagimin e Ramës për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën citoi një opinion të Komisionit të Venecias që shprehej kundër vendimit të GJKKO-së.
Blushi tha se është po i njëjti Ramë, i cili shkarkoi nga detyra dy zv.ministra, përkatësisht Rovena Vodën pasi pranoi si dhuratë një arkë me peshk dhe një celular si dhe zv.ministrin Andi Mahilën, pasi u fotografua duke pirë cigare në një ambient të mbyllur në SHBA.
Blushi thotë se kryeministri Rama po mbron interesat e tij personal dhe jo Kushtetutën.
“Edi Rama nuk po mbron as Belindën as Kushtetutën, por hajdutëritë e veta
I njëjti Edi Rama që shkarkoi një Zv/ministre vetëm pse pranoi dhuratë një arkë me peshk apo një tjetër pse piu një cigare në një ambient publik, sot refuzon të shkarkojë një Zv/kryeministre të kapur me “presh në dorë” për vjedhjen e qindra miliona euro.
I njëjti Edi Rama që i “dhemb zemra” për Kushtetutën, ndërkohë që ndër vite Gjykata Kushtetuese e ka çertifikuar si shkelësin më të madh të saj, nga vendimi për Teatrin Kombëtar, te ligjet e qepura me porosi për oligarkët e deri te mandati i Olta Xhaçkës.
Është i njëjti “dashnor” i Kushtetutës që Komisioni i Venecias e ka damkosur të paktën pesë herë për shkelje të saj.
I njëjti Kryeministër që donte të shkarkonte Presidentin e Republikës pse mbronte Kushtetutën, tani kërkon të mos shkarkojë Zv/Kryeministren që e çoi kilometrin e rrugëve të florinjta, që shemben si thes kashte, 5-6 herë më shtrenjtë se në vendet e BE.
Sot, Edi Rama nuk po mbron Kushtetutën.
Kërkon të mbrojë bashkëvjedhjet dhe hajdutëritë e veta me duart e Belindës, e cila mesa duket është gati t’i zbulojë të gjitha, nëse Kryeministri do të guxojë ta braktisë.
Kaq është e vërteta!”, shkruan Tedi Blushi.