Bota

Dëmtimi i kabllove në Detin Baltik, Finlanda hedh poshtë rastin gjyqësor!

Një gjykatë e qarkut në Finlandë vendosi se shteti nuk ka juridiksion që të ndjekë penalisht kapitenin dhe dy oficerë të cisternës së naftës Eagle S. Ata akuzoheshin për dëmtimin e kabllove nënujore të energjisë elektrike e të internetit në Detin Baltik, vitin e kaluar.

Procesi gjyqësor ishte ndër përpjekjet e para ligjore për të ndëshkuar të dyshuarit për dëmtimin e infrastrukturës kritike nënujore, por çështja u ndërlikua për shkak të dispozitave në ligjin e të drejtës ndërkombëtare detare e si rezultat i vështirësisë për të provuar se ngjarja kishte qëllim kriminal. Tre të akuzuarit mohuan akuzat.

Gjykata e qarkut sot ka nxjerrë një vendim duke hedhur poshtë akuzën për këtë rast… së bashku me kërkesat për dëmshpërblime që dilnin nga kjo akuzë, pasi nuk është e mundur të aplikohet ligji penal finlandez në këtë çështje, vuri në dukje gjykata përmes një njoftimi.

Forcat e NATO-s në rajon u vunë në gjendje gatishmërie pas incidentit që ndodhi më 25 dhjetor të vitit të kaluar. Ishte një ndër incidentet që ndodhën, me dëmtim të kabllove e të tubacioneve të gazit në Detin Baltik, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në muajin shkurt të vitit 2022.