Francesco Becchetti është dënuar me 17 vite burgim nga Gjykata e Tiranës. Vendimi u shpall ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës ku gjyqtari Besnik Hoxha lexoi vendimin dhe akuzat penale që rëndojnë ndaj biznesmenit.
“Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”-janë veprat penale për të cilat akuzohet biznesmeni.
Gjykatësi deklaroi se Becchetti do të qëndrojë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Po ashtu, u dënuan me burgim edhe bashkëshorja dhe nëna e Becchettit me nga 8 vite burg, duke i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Biznesmeni ndodhet jashtë Shqipërisë prej disa vitesh, ndërsa ka fituar edhe një çështje gjyqësore ndaj vendit tonë për shkak të mbylljes së televizionit “Agon Channel”.
Në 21 dhjetor 2021, prokuroria dërgoi dosjen e tij në gjykatë duke kërkuar prej saj 20 vbite burg për Bechettin si edhe bashkëpunëtorin e tij Mauro de Renzis. Pas vlerësimit të provave në dosjen e prokurorisë, gjykata vlerësoi se Bechetti duhej dënuar me 17 vite burg, kurse de Renzi me 16 vite.
Gjykata dha edhe 8 vite burg për Liliana Condomittin, e cila akuzohet për “Pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. 8 vite ka qenë edhe pretenca e prokurorisë për Condomittin.
Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.
Becchetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikish. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në ty dy shkallët e gjykimit.
Aktualisht biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.