Aktualitet

Shqipëria humb gjyqin me Becchetti-n e duhet të paguajë 110 milionë euro, kryeministri Rama: “Beteja vijon!”

Përfundoi me humbjen e Shqipërisë gjyqi me Francesco Becchetti-n mbi dëmshpërblimin që kërkonte sipërmarrësi italian për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015, me motivin se veprimi ishte politik. 110 milionë euro është shuma që i duhet paguar ndërsa kjo përbën edhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi, në këtë rast nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, (ICSID) pjesë e Bankës Botërore.

Dënimi ishte dhënë dy vjet më parë por autoritetet tona kërkuan anulimin e vendimit. Në gusht të 2019-ës, ICSID-ja pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj. Kërkesa e palës shqiptare u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit. Por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk i dha të drejtë e tashmë duhen paguar 110 milionë euro.

Ndërkaq nuk munguan reagimet. Presidenti i Republikës, Ilir Meta apelon që SPAK-u të hetojë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro. Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion. Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Por për kryeministrin Rama, beteja ligjore vazhdon dhe në Twitter shkruan:

Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon! Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!

Partia Demokratike reagoi për deklaratat e kryeministrit:

Edhe në ditën kur i duhet të përballet me dështimin e radhës, Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se sulmon PD dhe opozitën. Shqipëria ngeli në baltë me Ramën për 8 vjet, ky është fakt, sikundër mbetet po fakt që shqiptarët duhet të paguajnë 4560 lekë të reja nga xhepi, këtë herë për shkak të arrogancës së Edi Ramës.