Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhuzepe Dosena, ka komentuar sot dështimin e Italisë në play-off të Botërorit ku u eliminua me penallti nga Bosnjë Hercegovina. Në Itali ka filluar “gjyqi publik” për të gjetur përgjegjësit e mungesës për të tretin edicion radhazi në Botëror dhe Dosena mendon se tani ka ardhur koha që të ndërhyjë shteti italian.
“Në këtë pikë, le të kujtojmë se kemi një Ministër Sporti, tani Abodi duhet t’i bjerë kambanës, t’i kthejë të gjithë në klasë dhe nga aty të mos dilet derisa të gjendet një zgjidhje për krizën e plotë në futbollin italian”, tha për “Adnkoronos” ish-mesfushori italian, i cili ka drejtuar Shqipërinë për dy ndeshje në vitin 2002.
“Sot, të thuash se Gravina është përgjegjësi i vetëm është e gabuar. Por ai ka shumë përgjegjësi, dhe padyshim ka shumë sepse nëse e rrethon veten në Këshillin Federal me anëtarë federalë të cilët nuk sjellin asnjë kontribut, asnjë ide, nuk ofrojnë vlerësime të ndryshme nga të tijat, nuk ofrojnë perspektiva… Kjo është përgjegjësia e tij. Tani Abodi t’i thërrasë të gjithë, të ulen në një tavolinë me seriozitet, të heqin dorë nga mbrojtja e flamujve dhe bahçeve, si dhe të largohen nga salla vetëm pasi të kenë identifikuar propozime konkrete dhe të realizueshme. E vetme Federata nuk e ka forcën. Ka 48 ekipe kombëtare në këtë Kupë Bote dhe megjithatë ne nuk jemi atje edhe një herë. Po qëndrojmë në shtëpi që ta shikojmë në TV”, tha Dosena.