Herri Meguajër ka folur gjërë e gjatë për momentin kur trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, i komunikoi vendimin se nuk do të ishte pjesë e listës prej 26 lojtarësh të “Tre Luanëve” në Kupën e Botës. Lojtari anglez pranoi se video-telefonata e la “të shokuar dhe të shkatërruar”.
Konkretisht, mbrojtësi i Mançester Junajtid, duke folur në podkastin ‘The Rest is Football’, tregoi edhe se trajneri Tuhel e informoi për vendimin gjatë një telefonate në “FaceTime” përpara njoftimit të skuadrës. “Ai u telefonon të gjithëve në FaceTime – tha Meguajër -. Ishte një telefonatë mjaft e sikletshme. Ia bën më të vështirë vetes të shohë reagimet tona”.
Gjithashtu, Meguajër shpjegoi se fillimisht u kontaktua me mesazh para se biseda të zhvillohej më vonë gjatë ditës. “Mund të them se më erdhi një mesazh, ku më thoshte a mund të flas me ty rreth orës 4 pasdite – rrëfeu ai -. Është një mënyrë mjaft unike për ta bërë këtë. Ai tha se do të shkojë me katër djemtë që e ndihmuan të kalonte kualifikimet. Tuhel tha se nuk mund të më japë ndonjë justifikim tjetër…”, pohoi Meguajër.
Kujtojmë që mbrojtësi 33-vjeçar pranoi se shprehu menjëherë zhgënjimin e tij, por këmbënguli se e kuptonte procesin e vendimmarrjes së trajnerit. “Thashë menjëherë se isha vërtet i zhgënjyer. Mendova se bëra mjaftueshëm për të qenë në skuadër dhe mendova se mund të kisha ndihmuar”, përfundoi ai.
LEXO EDHE: FIFA privon tifozët, nuk lejohen puthjet në stadium gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës