Sport

Dështoi në mënyrën më të turpshme te Chelsea, ish-trajneri i “Bluve” pranë firmës me… Parisin

Liam Rosenior është shumë pranë zyrtarizimit të tij si trajner i ri i Paris FC.

Sipas të përditshmes franceze L’Equipe, prezantimi i teknikut anglez, i planifikuar fillimisht për këtë të mërkurë, është shtyrë për më 9 korrik.

Vonesa lidhet me ndryshimet që pritet të ndodhin në stafin teknik të klubit francez. Trajneri aktual, Antoine Kombouare, është shumë pranë largimit nga Paris FC, ndërsa drejtuesit po përgatisin terrenin për ardhjen e Rosenior.

Kombouare, ish-trajner i Paris Saint-Germain dhe Nantes, mori drejtimin e skuadrës në një moment të vështirë, kur klubi luftonte për mbijetesë. Nën drejtimin e tij, Paris FC e mbylli sezonin në vendin e 11-të, 12 pikë larg zonës së “play-out”.

Megjithatë, sipas mediave franceze, marrëdhënia mes klubit dhe trajnerit është përkeqësuar. Kombouare raportohet se ka kërkuar rinovim kontrate dhe rritje page, pavarësisht se kontrata aktuale është e vlefshme deri në vitin 2027. Drejtuesit e klubit thuhet se janë zhgënjyer nga qëndrimi dhe padurimi i tij.

Edhe rikthimi i futbollistëve për fazën përgatitore është shtyrë nga kjo e mërkurë për më 9 korrik, në mënyrë që klubi të ketë kohë të finalizojë ndryshimet në pankinë.

Sipas raportimeve, Rosenior ka paraqitur një listë kërkesash përpara se të marrë zyrtarisht drejtimin e ekipit, duke kërkuar një staf të zgjeruar prej gjashtë deri në tetë bashkëpunëtorësh.

Paris FC është tashmë në pronësi të familjes Arnault, një prej familjeve më të pasura në botë dhe pronare e gjigantëve të luksit si Louis Vuitton, Christian Dior dhe Tiffany & Co. Pronarët e rinj janë të gatshëm të investojnë shuma të mëdha për të forcuar skuadrën dhe për ta bërë atë konkurruese në elitën e futbollit francez.

Megjithatë, mediat britanike kujtojnë se aventura e fundit e Rosenior nuk ishte e suksesshme. Ai u shkarkua në prill, vetëm 106 ditë pasi kishte marrë drejtimin e klubit, pas serisë më të dobët të ndeshjeve pa shënuar gol që nga viti 1912.