Platforma për verifikimin e fakteve “Hibrid”, pohon se që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, çdo javë regjistron rreth dhjetë lajme me përmbajtje të pasaktë që lidhen me fushatën.
Festim Rizanaj nga kjo platformë i tha Zërit të Amerikës se burimet e këtyre përmbajtjeve janë edhe të brendshme, por dominojnë të huajat që vijnë kryesisht nga Serbia dhe Rusia.
Të cilat kanë krijuar disa narrativa në lidhje me zgjedhjet ku kryesorja është thirrje për të votuar Listën Serbe sepse ky subjekt përfaqëson Serbinë në Kosovë dhe jo subjektet tjera, të cilat i konsiderojnë të afërta me pushtetin aktual. Pjesa tjetër është se Kurti do t’i manipulojë zgjedhjet, që të dëmtojë Listën Serbe dhe në njëfarë forme të bëjë një spastrim etnik të serbëve në Kosovë sepse ajo i duhet dhe i leverdis Kurtit.
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se e drejta për zgjedhje të lira si shtyllë e demokracisë, tani është më e kërcënuar se kurrë nga ndërhyrjet gjithnjë e më komplekse e të sofistikuara të autokracive.
Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga ky institut mbi ndërhyrjet e huaja në zgjedhje dhe ndikimin e tyre në sigurinë dhe demokracinë e vendit.
Për shkak të kontekstit specifik me miratimin e shtetit të Kosovës nga bota demokratike, Serbia është strukur në botën autoritare ruse dhe kineze për ta vazhduar politikën ekspansioniste. Lufta e saj hibride kundër Kosovës që mund të përkufizohet si ndërhyrje politike, ekonomike dhe e sigurisë përfshin aktivitete të kombinuara që minojnë rendin demokratik dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar. Ndikimin në proceset zgjedhore qoftë lokale apo parlamentare, ajo gjithmonë e ka konsideruar një mundësi të mirë sabotimi.
Pjesëmarrësit në këtë debat thanë se në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, në një periudhë zhvillimesh të ndërlikuara gjeopolitike, Kosova duhet të angazhohet më shumë në hartimin e strategjive për t’u përballur me ndikimin e jashtëm, por edhe të fushatave ndërgjegjësuese për dezinformimin.
Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinsen:
Ndikimi i huaj në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet dezinformimit, përfitimeve ekonomike dhe mbështetjes për rrjetet antiperëndimore, synon të destabilizojë vendet si Kosova, si dhe të pengojë aspiratat e tyre euroatlantike. Në rastin e Kosovës këto sfida shpërfaqen në formën e fushatave dezinformuese, trysnisë gjeopolitike, pikave të cënueshne infrastrukturore, siç janë sulmet në infrastrukturën kritike të vendit si ai i fundit në Zubin Potok, i cili tregon mbi nevojën për masa të shtuara të mbrojtjes.