Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner do të vizitojë Tiranën më 17 Maj.
Ai pritet të mbajë edhe një fjalim gjatë vizitës së tij, sipas axhendës së programit “Invest in a connected Europe”.
Kushner do të flasë në pozicionin e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”.
Fjalimi është parashikuar të mbahet mes orës 10:05 dhe 10:25 të 17 majit.
Fjalimi i tij do të pasohet nga fjala e kryeministrit Edi Rama.
Tirana pret liderët europianë për Samitin e Komunitetit Politik Europian i cili mbahet për herë të parë në vendin tonë më 16 dhe 17 Maj.
Kujtojmë se, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, ku sipas vendimit, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.
“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendim.