Në një artikull të gjatë, “Financial Times” analizon ecurinë e biznesit të Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke u fokusuar te investimet e tij në Lindjen e Mesme dhe Europë, si edhe investimi 1,4 miliardë dollarë në Sazan.
Aty përmendet dhe historia se si lindi ideja për investimin e resortit luksoz në Sazan e marrëdhëniet e tij me kryeministrin Rama. Sipas shkrimit, “Kushner hyri në tregun shqiptar me një projekt luksoz në bregdet, i cili ka ndikuar në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme në zonën e Vlorës”.
Për herë të parë që pas rizgjedhjes së Trump-it si president i SHBA-ve, kryeministri Edi Rama komentoi për Financial Times-in projektin luksoz të Kushner-it, duke e cilësuar investimin “mundësi për të tërhequr turizmin elitar”. Rama u shpreh se nuk mund të fshehë se “afërsia e Trump-it me këtë projekt luksoz është një vlerë e shtuar e madhe”.
Ne kemi nevojë për turizëm super-luksoz në këtë vend siç ka nevojë shkretëtira për ujë. Ajo që fiton nga 500 jahte është e njëjtë me atë që fiton nga 40 mijë turistë me buxhet të ulët.
Artikulli i Financial Times-it:
Jared Kushner po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen, në verën e vitit 2021, disa muaj pas përfundimit të mandatit të parë të trazuar të vjehrrit të tij, Donald Trump. Teksa po ankoronin jahtin në brigjet shqiptare, ai i kërkoi një shoku ta ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Gjatë darkës, Rama, i njohur për natyrën miqësore, krijoi një lidhje me Kushner-in e diskutoi sesi bregdeti mahnitës i Adriatikut në Shqipëri, shpesh anashkalohet nga turistët e pasur që lëvizin mes Italisë dhe ishujve grekë.
“Kushner nuk përmendi investime”, kujton Rama. “Thjesht po pyeste për Shqipërinë… Praktikisht, ata nuk kishin asnjë njohuri mbi historinë shqiptare”. Kushnerët u larguan ditën tjetër.
Kur disa muaj më vonë u takuan sërish në Davos, Rama tha se Kushner i tregoi se i kishte pëlqyer shumë Shqipëria. Gjatë asaj kohe, Kushner kishte takuar Mohamed Alabbar-in, investitorin miliarder nga Arabia Saudite, i cili po zhvillon një marinë luksoze në Portin e Durrësit dhe sipas Ramës, ata kishin diskutuar për mundësitë e investimeve. “I thashë se kjo do të ishte e pabesueshme”, kujton Rama.
Kushner vizitoi sërish Shqipërinë në verën e vitit 2023, me një delegacion më të madh, përfshirë Richard Grenell-in, një aleat i vendosur i Trump-it, i cili kishte shërbyer si përfaqësues i tij për Ballkanin gjatë mandatit të parë dhe që së fundmi është emëruar i dërguar i posaçëm për mandatin e dytë. “Qëndruan rreth një javë, duke vizituar disa zona”, tha Rama. “Kësaj here, Kushner ishte i drejtpërdrejtë: “Jemi të interesuar të investojmë”.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë para inaugurimit të dytë të Trump-it, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak për Kushner-in që të zhvillojë një resort luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë në Mesdhe. Ky është një nga investimet më të spikatura të firmës së tij të kapitalit privat, Affinity Partners, të cilën Kushner e themeloi menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump-it, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.
Marrëveshja në Shqipëri ofron një vështrim në perandorinë e biznesit që Kushner ka ndërtuar që kur u largua nga pozicioni i tij si këshilltar i lartë në administratën Trump e ku ishte figurë kyçe në disa çështje të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Nga shumë diplomatë konsiderohej si një zgjidhës efektiv problemesh. Përpara se të përfshihej në politikë, Kushner ishte një zhvillues pronash me fokus kryesor qytetin e Nju Jorkut. Pas largimit nga Uashingtoni, ai ka krijuar një portofol të gjerë të aksioneve dhe pronave në të gjithë Europën Lindore, Gjirin Persik dhe Amerikën Latine.
Shumë nga këto marrëveshje janë lehtësuar nga kontaktet që krijoi gjatë kohës në administratë ose nga profili i tij i lartë si një nga ndihmësit më të besuar të vjehrrit të tij. Kushner ka treguar një aftësi për të shndërruar marrëdhëniet dhe afërsinë me pushtetin, në investime të mëdha. Në një rast, ai po pozicionon veten si një ndërmjetës për investitorët nga Gjiri Persik e që kërkojnë të hedhin para në sektorin privat dinamik të Izraelit.
Kushner u shpreh se modeli i tij i biznesit bazohet në aftësinë për të parë tendencat përpara të tjerëve. “Jam shumë i qetë duke qenë kundër rrymës”, i deklaroi ai Financial Times-it. “Isha i gatshëm të mbështesja Trump-in kur njerëzit në rrethin tim mendonin se kjo nuk ishte e mençur apo popullore. Besoja se mund të bëja përparim në Lindjen e Mesme kur të gjithë më thoshin se isha i çmendur”.
Edhe përpara se Trump-i të rizgjidhej, Kushner u përball me akuza për konflikte të mundshme interesi. Demokratët kanë sugjeruar se investitorët nga Gjiri mund të shohin financimin e projekteve të Kushner-it si një mënyrë për të fituar favore te Trump-i. Këto dyshime pritet të shtohen tani që Trump, sërish është në Shtëpinë e Bardhë. Kushner nuk po merr rol zyrtar, por ai është i disponueshëm për të këshilluar administratën për çështje të veçanta.
Në veçanti, ai është i përqendruar te mundësia e një pajtimi mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dy vende me të cilat ka kontakte të thella politike. Por, kjo do të nënkuptonte që ai të këshillonte mbi një çështje që prek shtetin saudit, që gjithashtu është një nga investitorët më të mëdhenj në Affinity Partners.
“Më shqetëson fakti që Kushner, ashtu si edhe anëtarë të tjerë të familjes Trump, mund të përfitojnë financiarisht duke përdorur statusin e tyre për të sugjeruar se mund të ndikojnë në politikën e administratës”, deklaroi Michael Meltsner, profesor i Drejtësisë në Northeastern University.
Kushner këmbëngul se nuk ka konflikt interesi dhe se shumica e kritikave janë motivuar politikisht. “Këto nuk janë akuza legjitime. Janë sulme politike të motivuara, që nuk kanë asnjë bazë”, tha ai. I lindur në një familje të fuqishme në Nju Jork, Kushner siguroi fitimet e para ndërsa ishte student në Harvard, në fillim të viteve 2000, duke blerë apartamente me vlerë 9 milion dollarë në një lagje punëtore të Bostonit dhe më pas duke i shitur për gati dyfishin pasi zona u rehabilitua.
Por, një provë vendimtare për të, erdhi pak para krizës financiare. Në vitin 2005, mori drejtimin e biznesit familjar të pronave kur babai i tij, Charles u dënua me burg për mashtrim fiskal dhe manipulim të dëshmitarëve. Charles u akuzua për punësimin e një prostitute për të joshur kunatin e tij, i cili po bashkëpunonte me autoritetet. Ai u fal nga Trump-i në vitin 2020 dhe është nominuar për të qenë ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Francë.
Familja Kushner bëri bujë në vitin 2007, duke shitur asete në periferi, për të financuar blerjen e një kulle në Fifth Avenue për 1.8 miliardë dollarë. Nuk ishte koha e duhur dhe vlera e pronës ra me shpejtësi nën nivelin e borxhit të saj, duke çuar në vite negociatash. Kushner dhe i ati mbajtën kreditorët larg e vazhduan të investonin fuqishëm, duke derdhur 14 miliardë dollarë në marrëveshje pronësie.
Deri në vitin 2011, Kushner kishte shitur hapësirat tregtare të ndërtesës për 1 miliard dollarë, për të ulur borxhin, por problemet financiare vazhduan thellimin në mandatin e parë të Trump-it. Në vitin 2018, gjiganti kanadez i pasurive të patundshme Brookfield, pagoi 1.1 miliardë dollarë për të marrë kontrollin e ndërtesës, duke i mundësuar Kushner-it të shlyente borxhet e rënda dhe të ruante një interes në qiranë e saj.
Në atë kohë, Kushner ishte një nga këshilltarët më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë. Ai arriti të krijonte lidhje të forta me figura kyçe në Lindjen e Mesme, duke ndërtuar marrëdhënie me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman, si dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Kushner ishte në krye të negociatave amerikane për Marrëveshjet Abraham, të cilat çuan në normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Këtë sukses diplomatik e shndërroi në mundësi biznesi.
Në janar të vitit 2021, Kushner themeloi Affinity, për t’u fokusuar në sektorë si Inteligjenca Artificiale dhe energjia e pastër. Një nga mbështetësit e tij të parë ishte fondi sovran saudit, që investoi 2 miliardë dollarë, thuajse të gjithë kapitalin fillestar të firmës nga burime të jashtme. Vitin e kaluar, Kushner siguroi edhe 1.5 miliardë dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe e Katari, duke e çuar vlerën e fondeve që menaxhon në 4.6 miliardë dollarë.
Kapitali i madh, i mbledhur nga një firmë e vogël pa histori të suksesshme investimi, i krijoi Kushner-it mundësinë për të fituar para vetëm duke menaxhuar fondet. Me një tarifë menaxhimi prej 1.25% të kapitalit të investitorëve, Affinity përfiton miliona dollarë çdo vit nga tarifat e menaxhimit, ku shumica e fitimeve mbi shpenzimet operacionale shkojnë për Kushner-in, si aksioneri kryesor. Për të siguruar edhe tarifa më të larta nga performanca e investimeve, Affinity duhet të arrijë objektiva të larta financiare.
Grupi i tij i ri i kapitalit privat, me bazë në një kullë buzë ujit në Miami, ku ndodhet edhe financieri miliarder Carl Icahn, filloi me 24 punonjës, përfshirë ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë si Avi Berkowitz, njëri nga negociatorët kryesorë të Marrëveshjeve Abraham, Kevin Hassett, këshilltar ekonomik i Trump-it dhe Thomas Storch, ish-zv.drejtor për Ekonominë Ndërkombëtare. Stafi i investimeve përfshin edhe Luis Videgaray-n, ish-ministrin e Jashtëm të Meksikës. Megjithatë, firma ka përjetuar një qarkullim të madh të stafit, me disa nga punonjësit e parë që janë rikthyer në pozita qeveritare.
Gjatë vitit të parë të plotë të investimeve, Affinity realizoi tri marrëveshje të mëdha, përfshirë një investim prej 200 milion dollarësh në Mosaic, një kompani financimi për pajisje diellore për çati. Të tjera investime të hershme përfshinin Dubizzle, një platformë online me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Unybrands, një kompani që blen shitës të vegjël brenda platformës Amazon, e mbështetur nga ish-CEO i WeWork-ut, Adam Neumann, me të cilin Kushner kishte krijuar marrëdhënie vite më parë.
Së fundmi, ai ka investuar qindra miliona dollarë dhe ka marrë një vend në bordin e QXO-s, një kompani e krijuar nga miliarderi Bradley Jacobs, e cila përmes një oferte prej 11 miliardë dollarësh, po përpiqet të marrë nën kontroll një kompani amerikane të materialeve të ndërtimit. Kushner ka ndërtuar edhe investime të mëdha minoritare në dy kompani të njohura izraelite, përfshirë Phoenix Financial, një konglomerat i fuqishëm sigurimesh e që menaxhon mbi 100 miliardë dollarë në asete për mbajtësit e policave në rajon.
Ai beson se kontaktet e tij unike, si në Izrael, ashtu edhe në Gjirin Persik e bëjnë një ndërmjetës të besuar. “Affinity ka të bëjë me njerëz që bashkohen për të realizuar gjëra që përndryshe nuk do të ndodhnin”, tha ai. Në vitin 2023, një fond shtetëror i Emirateve u përpoq të investonte në Phoenix, por u bllokua nga rregullatorët izraelitë. Megjithatë, investimi i Kushner-it, i cili përfshinte fonde nga Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari, u miratua.
Marrëveshjet e hershme të Affinity-t, ende nuk kanë dhënë përfitime të mëdha. Unybrands është përballur me ngadalësim të rritjes dhe nuk ka dorëzuar bilancet financiare për dy vjet, duke ngritur shqetësime për stabilitetin e saj. Rënia e Thrasio-s, një prej rivalëve më të mëdhenj, vë në pikëpyetje të ardhmen e tregut të Amazon Aggregators. Affinity pretendon se Unybrands ka rrjedhë pozitive të parasë.
Ndërkohë, Mosaic Solar, marrëveshja e parë e shpallur nga Affinity, po përballet me presion për shkak të shkurtimeve të subvencioneve për energjinë e rinovueshme nën administratën e re Trump. Firma ka investuar mbi 2 miliardë dollarë e është angazhuar për një miliard dollarë investime të tjera, por deri tani, nuk ka kthyer shumë para te investitorët, sipas një hetimi të Senatit, vitin e kaluar. Investitorët e kapitalit privat, zakonisht dalin nga investimet pas pesë vitesh, kështu që mungesa e shpërndarjeve nga Affinity, ende nuk është jashtë normales.
Por, jo të gjitha investimet kanë hasur vështirësi. Kompania gjermane e fitnesit EGYM, e mbështetur nga Affinity, së fundmi ka siguruar një investim prej 200 milion dollarësh, duke arritur një vlerësim të përgjithshëm mbi 1 miliard dollarë, dyfishin e kostos së saj fillestare. Gjithashtu, vlera e tregut e Phoenix-t dhe QXO-s është rritur që nga investimi fillestar nga Affinity.
Kushner është në bisedime për marrëveshje në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe qendrave të të dhënave, që mund të vlejnë miliarda dollarë. Ai po negocion edhe një marrëveshje të madhe në Meksikë, për një kompani të menaxhimit të mbetjeve. Me këtë vend, ishte lidhur ngushtë gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, duke besuar se industrializimi i Meksikës do të rritet për shkak të afërsisë me zinxhirët e furnizimit të SHBA-ve. Megjithatë, kërcënimi i tarifave doganore mund ta rrezikojë këtë marrëveshje.
Një investitor i afërt me Kushner-in vuri në dukje se “ai është i fokusuar në ndërtimin e biznesit të tij të investimeve” dhe shtoi: “Pa dyshim që ka diçka për të provuar në këtë fushë”. Pasi fillimisht u shmang nga tregu i pasurive të paluajtshme, Affinity është rikthyer në këtë sektor, por këtë herë, larg Manhatanit.
Marrëveshja e parë e madhe u bazua në lidhjet me liderët politikë, të krijuara gjatë mandatit të parë të Trump-it. Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, Affinity ka marrë me qira hapësirën ku ndodhej Ministria e Mbrojtjes e Jugosllavisë, e cila po shembet e do të rindërtohet si hotel luksoz dhe kompleks rezidencial.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili kishte marrëdhënie të mirë me administratën e parë të Trump-it, vitin e kaluar i tha Financial Times-it se ishte shumë krenar për këtë projekt: “Do të sjellë më shumë investitorë dhe kjo do të sjellë gjithnjë e më shumë njerëz në Beograd. Kjo është e mirë për miqësinë serbo-amerikane”.
Richard Grenell, shumë i angazhuar në diplomacinë e Ballkanit Perëndimor në fund të mandatit të parë të Trump-it e ka prezantuar këtë marrëveshje si pjesë të përpjekjeve për të afruar Serbinë me Perëndimin dhe për ta distancuar nga Rusia, aleati i saj historik. “Grenell nuk u tërhoq kurrë. Ai ka qenë gjithmonë këtu”, u shpreh Zorana Mihajloviç, ish-zv.kryeministre e Serbisë për 8 vjet, deri më 2022-shin.
Nga ana tjetër, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, gjithashtu është i kënaqur me investimin e Kushner-it në vendin e tij.
“Afërsia e Trump-it me këtë projekt të resortit luksoz është një vlerë e shtuar, e madhe, nuk mund ta fsheh”, tha Rama. “Pas njoftimit të Jared-it për marrëveshjen, çmimet e pasurive të paluajtshme në Vlorë, patën rritje të dukshme”.
Duke u përqendruar te klientët super-luksozë, projekti i Kushner-it pritet të ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga turizmi, pa dëmtuar rezervat natyrore, siç do të ndodhte me një zhvillim masiv të turizmit ekonomik.
“Ne kemi nevojë për turizëm super-luksoz në këtë vend, siç ka nevojë shkretëtira për ujë”, shtoi Rama. “Ajo që fiton nga 500 jahte është e njëjtë me atë që fiton nga 40 mijë turistë me buxhet të ulët”.
Por, Lindja e Mesme është ajo që paraqet si mundësitë më të mëdha për përfitime, ashtu edhe rreziqet më të mëdha për konflikte interesi. Gjatë një ligjërate në Harvard, vitin e kaluar, Kushner e përshkroi Mohammed bin Salman-in si një “mik” dhe tha se të dy kishin diskutime të rregullta. Gjithashtu, ai mori një pjesë të meritës për afrimin e Arabisë Saudite me strategjinë e administratës së parë Trump për Lindjen e Mesme.
Kushner tha se Trump kishte hyrë në detyrë me një qëndrim të ashpër ndaj Arabisë Saudite, derisa bin Salman i prezantoi planet e tij për modernizimin e mbretërisë, nga lejimi i grave për të drejtuar makinën, deri te shtypja e ekstremizmit. Shumë shpejt, Arabia Saudite u zgjodh si destinacioni i parë për vizitën e Trump-it jashtë vendit.
“Kushner ka një marrëdhënie të ngushtë me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman dhe ata që kanë bashkëpunuar me të, thonë se ai ka aftësinë kulturore për të operuar në rajon”, konstatoi Helima Croft, një ish-analiste e CIA-s, tani drejtore e Kërkimeve për Lindjen e Mesme në RBC Capital Markets. “Ai ka tendencën të dëgjojë më shumë sesa të mbajë leksione dhe kalon shumë kohë me lojtarët kryesorë”. “Nëse administrata e ardhshme Trump është serioze për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, mendoj se ata do të duan ta kenë Jared-in në ekip, edhe nëse këtë herë do të jetë më në prapaskenë”.
Megjithëse nuk do të ketë post zyrtar në administratë, ai tha: “Unë jam këtu për të ndihmuar dhe për të dhënë këshilla kur të jetë e nevojshme. Por, edhe një rol jozyrtar në diplomaci do të sjellë më shumë vëmendje e shqyrtim të rreptë”. Që nga krijimi, Affinity u pa me dyshim në Uashington, veçanërisht nga ligjvënësit demokratë, të cilët, shumën e miliona dollarëve në tarifa që fondi mbledh nga investitorë sauditë dhe të Emirateve të Bashkuara, i karakterizuan si “ndikim të huaj politik”.
“Investitorët në Affinity mund të mos jenë të motivuar nga konsiderata thjesht tregtare, por nga mundësia për të kanalizuar para të qeverive të huaja te anëtarët e familjes së presidentit Trump, konkretisht Jared Kushner e Ivanka Trump”, tha senatori Ron Wyden, si pjesë e një hetimi të Komisionit të Financave të Senatit mbi fondin.
Disa ekspertë të sigurisë kombëtare shqetësohen se Kushner po përfiton nga lidhjet që krijoi gjatë kohës në qeveri dhe se për shkak të afërsisë së tij me Trump-in, mund të përdoret për të avancuar interesat e shteteve të huaja në çështje të ndërlikuara diplomatike.
Në tetor, Wyden dhe Jamie Raskin, anëtar i Komisionit të Kongresit për Mbikëqyrje dhe Llogaridhënie, i kërkuan Departamentit të Drejtësisë të caktojë një prokuror të posaçëm për të hetuar bizneset e Kushner-it.
“Ndërsa praktikisht është në listën e pagave të qeverisë saudite, Kushner po shërben edhe si këshilltar politik për ish-presidentin Trump dhe si një diplomat jozyrtar e këshilltar politik për Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman e të tjerë aktorë të huaj. Megjithëse, qartazi është i përfshirë në aktivitete politike”, patën thënë ata në një deklaratë.
Pavarësisht kritikave, kurrë Kushner nuk është akuzuar për ndonjë shkelje. “Këta njerëz nuk pranojnë se unë kam një histori të jashtëzakonshme suksesi në Lindjen e Mesme”, tha ai për politikanët demokratë. “Unë i kam këto marrëdhënie të shkëlqyera për shkak të suksesit që kam arritur, një sukses për të cilin më kritikuan në çdo hap të rrugës”.
Kushner thotë se Affinity, gjithmonë ka vepruar në mënyrën e duhur. “Shumë nga këta njerëz thonë se çdo gjë është një konflikt interesi. Por, unë nuk do ta lejoj këtë të më ndalojë”.
Disa ekspertë të etikës besojnë se Trump-i dhe anëtarët e familjes së tij mund të ndihen të autorizuar të veprojnë pa pasoja, pjesërisht për shkak të sjelljes së Joe Biden-it dhe djalit të tij Hunter Biden, i cili u kritikua për marrëveshjet e biznesit, përfshirë edhe në Ukrainë. Hunter Biden u shpall fajtor për një tjetër vepër, pa lidhje me bizneset e tij dhe më pas mori falje.
Richard Painter, ish-këshilltar kryesor për Etikën në Shtëpinë e Bardhë, gjatë administratës së George W. Bush, deklaroi se “në një situatë ideale, fëmijët e presidentit dhe dhëndri i tij, nuk do të përfshiheshin në transaksione biznesi që mund të krijonin perceptimin e një konflikti interesi”.
“Në të kaluarën, ekzistonte një mirëkuptim që anëtarët e familjes së presidentit duhet të shmangnin situatat që mund të krijonin përshtypjen se njerëzit po bënin biznes me ta për të fituar favore nga presidenti. Por, fatkeqësisht, mendoj se si me administratën e parë të Trump-it, ashtu edhe me administratën Biden, në rastin e Hunter Biden-it… ne kemi kaluar përtej kësaj linje.