Food & Drink Lifestyle

Dhoma e Zejeve Koblenz dhe partnerët e saj në Shqipëri & Kosovë sollën “Ditët e Bukës Gjermane”!

Dhoma e Zejeve Koblenz është një nga institucionet kryesore të Gjermanisë në sektorin e zanateve. Ajo luan një rol qendror në formimin profesional, zhvillimin e bizneseve dhe ofrimin e konsulencës për zejtarë, sipërmarrës dhe nxënës. Duke garantuar standarde të larta arsimimi dhe certifikimi, Dhoma e Zejeve Koblenz forcon cilësinë e mjeshtërive gjermane dhe mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për t’iu përgjigjur sfidave kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria dhe digjitalizimi. Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimit të njohurive, ajo kontribuon në rritjen e standardeve të mjeshtërisë në nivel global. Projekti i Partneritetit me Shqipërinë dhe Kosovën synon të forcojë sektorin e zejtarëve përmes përmirësimit të kushteve të biznesit, avancimit të kualifikimeve profesionale, nxitjes së bashkëpunimit ndërrajonal dhe rritjes së imazhit të zejtarëve në tërësi.

 

Java e Kulturës Gjermane vuri në qendër të vëmendjes një nga simbolet më të rëndësishme të kulturës së vendit: bukën. E njohur si trashëgimi kulturore jomateriale që prej vitit 2014, kultura gjermane e bukës mishëron traditën, mjeshtërinë artizanale dhe diversitetin rajonal.

Në kuadër të Projektit Projektit të Partneritetit të Dhomave dhe Shoqatave në bashkëpunim me Alta Academy dhe partnerët e projektit nga Shqipëria dhe Kosova, Dhoma e Zejeve Koblenz sollën në Tiranë mjeshtrat gjermanë të bukës dhe pastiçerisë, Jens Stadtländer dhe Rainer Hahn. Kjo nismë synon promovimin e standardeve më të larta gjermane në zejtarinë vendase.

 

Me mbi 30 vite eksperiencë ndërkombëtare si chef patissier, sipërmarrës dhe aktualisht trajner pranë Dhomës së Zejeve Koblenz, Rainer Hahn zhvilloi një seminar të dedikuar artit të bukës dhe pastiçerisë gjermane. Studentë dhe profesionistë patën mundësi të përfitonin njohuri praktike direkt nga ekspertiza dhe standardet gjermane.

Aktivitetet kulmuan më 3 tetor në Pazarin e Ri të Tiranës, ku publiku shijoi bukë të freskët të përgatitur gjatë seminarit. “Ditët e Bukës Gjermane” u kthyen në një festë të vërtetë shijeje, tradite dhe kulture — duke e afruar mjeshtërinë gjermane më pranë publikut shqiptar.