Aktualitet

Dhuna në oborrin mbretëror, Elia Zaharia e pafajshme/1 vit burg Princ Lekës, konvertuar në shërbim prove!

Gjykata e Tiranës dënoi sot Princin Leka Zogu me 1 vit burg lidhur me dhunën në pallatin mbretëror, rreth një vit më parë, në mars të 2024-ës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove, për akuzën “Dhuna në familje”. Gjyqtarja Migena Laska dënoi me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babanë e Elias, ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë. Gjykata vendosi ta pezullojë dënimin në 1 vit e 40 ditë me kusht.

E njëjta gjyqtare shpalli pafajësi për aktoren Elia Zaharia, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Të tre personat të cilët u morën si të pandehur për “dhunë në familje”, u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Episodi i dhunës në familjen mbretërore u bë publik përmes një videoje në rrjet.  Gjithçka ndodhi në Pallatin Mbretëror në rrugën “Murat Toptani” pasditen e 5 marsit 2024. Ndërkohë, më 25 prill të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë. Princi Leka Zogu ka pranuar nga ana e tij, që vajza 3-vjeçare të lihet nën kujdesin e nënës, Elia, për t’u përgjigjur për kujdesin dhe edukimin e saj.