Live From Tirana

Diçka për çdo brez, Aida Baro vjen me sugjerimet e saj të librave për t’u lexuar…

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë përkthyesja Aida Baro. Ajo ka diskutuar mbi sa lexojnë shqiptarët sot dhe veçanërisht brezi i ri. Po ashtu ajo na ka sugjeruar një listë librash të cilat mund t’i lexojmë këtë periudhë…

Çfarë sugjerimesh mund të japësh?

Do ta nisja për fëmijët me “Piter Panin”. Patjetër që është i njohur, është i stërnjohur, është bërë film, është botuar disa herë… Në këto vëllime që kemi parrë janë disa klasikë, është seria “Unë i dua klasikët” dhe, përveç “Piter Panit”, është “Magjistari i Ozit”, “Iljada”, “Odiseja”, “Liza në botën e çudirave”, pra janë gati 9 tituj që janë pjesë e kolanës për fëmijë “Unë i dua klasikët”. E bukura është që përveç përshtatjes për fëmijët, në çdo kapitull ka një përmbledhje me fjalët e reja. Sepse duam që fëmijët, ato vështirësi që do të ndiejnë kur lexojnë dhe, siç e thamë që leximi të rrit elokuencën, mendojmë që është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe e këndshme për fëmijët, që të mësojnë fjalë të reja, fjalë që ne të rritur duhet t’i dimë, por për fëmijët janë të panjohura. Në fund të librit ka dhe disa informacione për autorin, ka dhe lojra praktike, për ta bërë fëmijën të kujtojë përmbajtjen e librit, apo personazhet. Kështu që mendoj se është një nga gjërat e bukura që fëmijët mund të zbavitem, edhe të mësojnë, edhe të marrin shijen letrare, por dhe të kënaqen me njëri-tjetrin. 

Do ta vazhdoja me librin e ri që kemi nxjerrë, “Edhe një ditë më shumë”, Mitch Albom. Është libri i dytë që nxjerrim nga Mitch Albom, pas “Gënjeshtrës së parë”. Është një histori që u flet të gjithëve, sepse është një marrëdhënie nënë e bir. Gjithmonë, marrëdhëniet me nënën ose janë shumë të mira, kemi atë periudhën e adoleshencës që duam të jemi të zotët e vetes dhe nëna na duket pak e tepërt, sepse ne i dimë të gjitha, por në çdo moment, edhe kur rritemi, është shoqja më e mirë. Kështu që, në këtë libër të Mitch Albom, na vjen një histori që ka ndodhur realisht, sepse Çarli Beneto është një lojtar bejsbolli dhe ka një marrëdhënie konfliktuale me të ëmën, ka një marrëdhënie konfliktuale me të atin, dhe ia hedh fajin të ëmës për largimin e të atit dhe për gjithë dështimet e veta.