Joseph Baena ka shënuar një moment historik në karrierën e tij, duke fituar titullin e parë në bodybuilding gjatë kampionatit NPC Natural Colorado State Championship në Denver.
Djali i Arnold Schwarzenegger dominoi në skenë, duke siguruar tre medalje ari në kategori të ndryshme, përfshirë Men’s Bodybuilding Heavyweight, Men’s Classic Physique True Novice dhe Men’s Classic Physique Novice.
Pas suksesit, Baena ndau emocionet në rrjetet sociale me një postim ku shkroi: “Mision i përmbushur!”, duke publikuar edhe foto nga momentet e triumfit në skenë.
Ky event shënon debutimin e tij zyrtar në bodybuilding, duke ndjekur gjurmët e babait të tij legjendar, i cili u bë ikonë globale në këtë sport përpara se të pushtonte Hollywood-in me filma si The Terminator.
Megjithatë, rrugëtimi i Baenës nuk ka qenë i lehtë. Ai ka treguar më herët se gjatë adoleshencës ka pasur probleme me peshën dhe madje është përjashtuar nga ekipet sportive në shkollë, pasi nuk arrinte të ndiqte ritmin e bashkëmoshatarëve.
Transformimi i tij nga një adoleshent me vështirësi në një kampion bodybuilding është parë si një histori motivuese, që tashmë po e vendos atë në një rrugë të ngjashme me suksesin e babait të tij.