Sport

Dinamo ndalet në fund ndaj Aluminij, merr një barazim në transfertë dhe lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit!

Dinamo ka barazuar 1-1 në transfertë ndaj skuadrës sllovene të Aluminij, në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të Ligës së Konferencës. Kryeqytetasit ishin shumë pranë një fitoreje të rëndësishme, por një gabim në minutat e fundit u kushtoi suksesin.

Skuadra e Ilir Dajës kaloi në avantazh në minutën e 15-të me Hekuran Berishën, i cili përfitoi nga një gabim në prapavijën e vendasve dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Dinamo administroi mirë pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë ndeshja u ndërpre për rreth 24 minuta për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Pas rifillimit, kryeqytetasit krijuan disa mundësi të mira për të dyfishuar rezultatin. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 70-të, kur Qardaku goditi shtyllën direkt nga një goditje dënimi. Më herët, Dinamo pretendoi edhe për një penallti, por arbitri islandez vendosi të vijonte lojën.

LEXO EDHE: “Zyrtarisht i Barcelonës”, Karim Adeyemi: Messi është lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë, mezi pres të luaj me Yamal…

Kur dukej se blutë do ta mbyllnin sfidën me fitore, në minutën e 83-të erdhi goli i barazimit. Një pasim i gabuar i portierit Teqja në ndërtimin e aksionit u shfrytëzua nga vendasit, me Vrbanec që nuk gaboi përballë portës dhe vulosi rezultatin përfundimtar 1-1.

LEXO EDHE: Nga Luan Shabani në Leonidas Sabanis, postimi i Pirro Dhimës që riktheu plagën e vjetër të sportit shqiptar!

Pas këtij barazimi, kualifikimi për në raundin e tretë eliminator të Ligës së Konferencës do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku Dinamo do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë për të siguruar kalimin më tej.

Liga e Konferencës, Raundi 2
Aluminij-Dinamo 1-1
Vrbanec 84’/ Berisha 15′