Health & Beauty

Disa këshilla për ju vajza të dashura, si të gjeni ngjyrën e duhur të fondatinës!

Pjesa më e madhe e vajzave dhe grave zgjedhin me sy se cila prej produkteve kozmetike u qëndron më mirë në lekurë. Ndonëse kjo metodë e thjeshtë funksionon për buzëkuqet apo tonet e syve, nuk mund të themi të njëjtën gjë për produktet bazë si fondatina dhe korrektorët. Gjetja e nuances së duhur është hapi më i rëndësishëm i rutinës suaj të bukurisë dhe sekreti i krijimit të një pamjeje të rregullt dhe sa më estetike.

Zgjedhja e fondatinës bëhet shumë e lehtë nëse dini se cilat janë nën-tonet e lëkurës suaj. Në këtë rast lëkura ka dy elemente kryesore, nuancën në sipërfaqe dhe nën-tonin. Nuanca në sipërfaqe tregon sa e hapur duhet të jetë fondatina dhe kategorizohet në shumë e hapur, e hapur, mesatare, e errët dhe shumë e errët. Patjetër që mes këtyre nuancave ekzistojnë shumë nën-nuanca të tjera, emrat e së cilave ndryshojnë nga njëra kompani kozmatike në tjetrën.

Nën-toni tregon nëse ngjyra juaj e lëkurës është e ftohtë, neutrale ose e ngrohtë. Gjetja e nën-tonit të duhur ndihmon që të theksoni tiparet dhe të krijoni një pamje të ekuilibruar e cila ju shkon me çehren. Drejtoresha ekzekutive dhe grimierja e “Beauty Blender”, Rea Ann Silva shpjegon:

Është e rëndësishme të mbani mend se ekzistojnë gjashtë pigmente bazë që përdoren për të rregulluar nuancat e fondotinës; e bardha, e zeza, e kuqe e verdha, jeshilja dhe bluja. Shikoni lëkurën në pjesën e brendshme të krahut, pasi këtë pjesë nuk e kapin shpesh rrezet e diellit. Zgjidhni një fondotinë që mendoni se ju rri mirë dhe vendoseni në atë zonë të krahut. Më pas ecni nëpër dyqan për të parë sesi nuanca e zgjedhur duket në dritë natyrale. Nëse ju qëndron mirë në lëkurë, kjo tregon se keni gjetur një produkt i cili i përshtatet nën-tonit tuaj.

Ajo gjithashtu sugjeron të shihni sesi lëkura reagon ndaj diellit. Nëse digjeni menjeherë dhe lëkura juaj bëhet e kuqe ose rozë, kjo tregon se nën-toni juaj është i ftohtë. Nëse nuk digjeni por as nuk nxiheni menjëherë, kjo tregon se nën-toni është neutral.

Nëse gjatë qëndrimit në dritën e diellit, lëkura merr ngjyrë të artë, kjo tregon se nën-toni është i ngrohtë. Sugjerimi i fundit që ajo rekomandon është që të merrni një copëz letër të bardhë dhe të shihni sesi duket lëkura juaj kundrejt saj. Nëse duket më rozë në afërsi të letrës, atëherë keni nën-ton të ftohtë. Nëse lëkura merr ngjyrë disi të verdhë, keni nën-ton të ngrohtë dhe nëse nuk vini re asnjë ndryshim, jeni keni nën-ton neutral.