A keni menduar ndonjëherë se cila është ngjyra e preferuar e qenit tuaj? Edhe pse duket si një pyetje e çuditshme, ekspertët thonë se qentë e perceptojnë botën ndryshe nga ne, dhe kjo ndikon edhe në atë që u tërheq më shumë.
Qentë njihen për shqisat e tyre shumë të zhvilluara, sidomos dëgjimin dhe nuhatjen. Ata mund të dëgjojnë tinguj në frekuenca më të larta se njerëzit dhe të dallojnë saktë nga vijnë, ndërsa nuhatja e tyre është jashtëzakonisht e fortë, duke u lejuar të ndiejnë aroma që ne as nuk i imagjinojmë.
Por kur vjen puna te shikimi, situata ndryshon. Ndryshe nga miti i vjetër se qentë shohin bardh e zi, ata në fakt dallojnë disa ngjyra, por jo të gjitha.
Kryesisht shohin nuanca të blusë, të verdhës dhe kafesë, ndërsa ngjyra si e kuqja dhe jeshilja u duken si gri ose kafe.
Pikërisht për këtë arsye, bluja dhe e verdha konsiderohen si ngjyrat më të dallueshme dhe më tërheqëse për ta.
Një studim interesant i realizuar në Indi e mbështet këtë ide. Qenve endacakë iu vendosën përpara tre tasa me ngjyra të ndryshme: blu, të verdhë dhe gri.
Shumica prej tyre zgjodhën tasin e verdhë, madje edhe kur ai ishte bosh, duke e preferuar ndaj një tasi gri që kishte ushqim.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto nuk janë rregulla fikse. Preferencat e çdo qeni mund të ndikohen nga përvoja, ambienti dhe mënyra si është rritur apo trajnuar.