Rajoni

Ditëlindja e Adem Jasharit/Projekt për kompleksin memorial në nder të Heroit të Kosovës!

Albin Kurti njofton për projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”. Kryeministri i Kosovës tha se “nuk do të kursejnë asgjë për të ndërtuar këtë kompleks të rëndësishëm ndërkombëtarisht” që sipas tij do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi e bashkim.

Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!

Komandanti legjendar Adem Jashari sot do të mbushte 69 vjeç nëse do të jetonte. Ai u lind më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skënderajt. Në fund të dhjetorit 1991, grupi i Adem Jasharit pati kaluar në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë. Policia serbe e kishte identifikuar prej kohësh shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e para, forca të mëdha policore kishin mësyrë Prekazin.

Përforcimet e trupave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës e Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës 06:00 të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse të gjithë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa e tyre heroike zgjatë tri ditë: më 5, 6 e 7 mars 1998.

Në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Kushner shprehej se “po të kishte Nobel mbi sakrificën për liri, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”. Me vendim të ish-presidentit Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.