Ka përfunduar pas disa orësh, mbledhja e kryesisë së PD e cila u mblodh me urgjencë, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese, për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Mbledhja e Kryesisë së PD, u shoqërua me tensione mes anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji dhe kreut të PD, Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka.
Pas përfundimit të mbledhjes, në një prononcim për mediat, Salianji u shpeh i keqardhur që mbledhja e Kryesisë e zhvendosi fokusin nga protesta.
Anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji në një prononcim për mediat, ka deklaruar se do të vijojë takimet me demokratët për riorganizimin e PD dhe kthimin e shpresës tek strukturat e djathta, për ta bërë PD alternativë qeverisëse.
I pyetur për zhvillimet politike të cilat u diskutuan gjatë mbledhjes së Kryesisë e cila u shoqërua me debate, Ervin Salianji tha se vendimarrja e PD është e paqartë dhe përgjegjës për këtë bëri Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Nokën.
“Organizimi i protestave dhe revoltës ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama-Balluku, isha i gëzuar që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi aty ku e kam kërkuar prej kohësh, për të pasur protesta dhe revoltë. Më vjen mirë që në 4 orë pati protestë ndaj demokratëve të pakënaqur dhe gjysmë ore ndaj Ballukut”, tha Salianji.
Gazetarët: Mbledhje kundër jush?
Salianji: Jo kishte mendime të ndryshme, do ecim përpara. Çdo ndryshim nuk vjen pa sakrificë dhe përplasje, çdo akuzë dhe çdo idiotësi do marrë përgjigje me fakte konkrete.